– “Prandaj largohu prej tyre …” – Duke i qartësuar Profetit të Tij se për mohuesit nuk ka udhëzim, Allahu i Lartësuar e porosit atë se tashmë nuk mbetej gjë tjetër, veçse të distancohej prej tyre.
– “… deri në ditën kur Lajmëtari (Israfili) t’i thërrasë drejt tmerrit!” – Prit ditën kur ata të ballafaqohen me tmerrin e madh. Atë ditë, Israfili (a.s.) do t’i thërrasë krijesat drejt një ngjarjeje të papërshkrueshme. Nuk do të ketë pamje më të frikshme se ajo. Israfili (a.s.) do t’i fryjë Surit, ndërsa të vdekurit do të dalin nga varret, për të qëndruar përpara Zotit të Lartësuar.