Select Page

Edhe kjo është këshillë për një virtyt të lartë, të cilin duhet ta ketë çdo njeri i mençur dhe i urtë. Kështu, nëse një njeri i prishur, apo siç e quan i Lartësuari “fasikun” (që shkel kufijtë e Allahut), përcjell një lajm të caktuar, besimtari nuk duhet të nxitohet dhe ta pranojë menjëherë atë ose të ndërtojë gjykim mbi të, por ta verifikojë mirë dhe me kujdes.  Marrja si e vërtetë e çdo lajmi përbën një rrezik të madh dhe një shkak potencial për të rënë në gjynah dhe padrejtësi. Nëse marrim si të mirëqënë një lajm të rremë, do të gjykojmë duke u bazuar në të dhe, si rrjedhim, mund të dëmtojmë jetën, pasurinë ose nderin e njerëzve padrejtësisht. Pasojat janë shumë të rënda. Prandaj të mençurit nuk veprojnë kurrë kështu.

Ata e dinë se është detyrë verifikimi i çdo lajmi që sjell një njeri i prishur. Më pas, nëse faktet tregojnë për vërtetësinë e atij lajmi, atëherë gjykohet dhe punohet sipas tij. Nëse faktet vërtetojnë të kundërtën, atëherë ai nuk pranohet dhe nuk punohet sipas tij. Nga ajeti kuptohet se lajmi i sjellë nga një njeri i sinqertë, i drejtë dhe i besueshëm, është i pranueshëm. Ndërsa lajmi i një personi që njihet botërisht si gënjeshtar është i papranueshëm. Nga ana tjetër, lajmi i një njeriu të prishur, domethënë, i atij që bën shumë gjynahe e shkel kufijtë e Zotit, shihet në varësi të fakteve të tjera plotësuese, pastaj gjykohet për pranimin ose jo të tij. Për këtë arsye, shumë dijetarë muslimanë të hershëm i pranonin hadithet e sjella nga hauarixh-ët, të cilët nuk gënjenin në fjalët që transmetonin, edhe pse bënin gjynahe të tjera dhe kishin devijuar nga rruga e drejtë.178

178 Ngrihet pyetja: A lejohet transmetimi i haditheve nga bidatçinjtë? Imam Muslimi nuk e ka lejuar një gjë të tillë. Kurse imam Neveviu, në parathënien e “Sahihu i Muslimit”, thotë: “Dijetarët e hadithit të fikh-ut dhe të usul-it janë unanimë në mendimin se transmetimet e atyre që bëjnë bidate kufri nuk duhet të pranohen. Ndërsa për transmetimet e atyre që nuk bëjnë bidate kufri ka mendime të ndryshme. Disa thonë se ato janë të papranueshme në mënyrë të prerë dhe të padiskutueshme, sepse bidatçiu e ka të cenuar pastërtinë e tij fetare, e cila është kusht për pranueshmërinë e transmetuesit. Disa janë të mendimit se transmetimet e tyre janë të pranueshme, përderisa në medhhebin e tyre e kanë të ndaluar gënjeshtrën dhe nuk e bëjnë atë të lejueshme për hir të mbështetjes të mendimit dhe rrugës së tyre.

Këtu nuk prish gjë fakti në e propagandojnë bidatin e tyre apo jo, a i ftojnë të tjerët në pasimin e medhhebit të tyre apo jo. Ky dëshmohet edhe si qëndrim i imamit tonë, Shafiiut (Allahu e mëshiroftë!), i cili ka thënë: “Unë nuk e pranoj dëshminë e bidatçinjve të quajtur el hattabije, nga sekti i shiitëve, sepse ata e shohin si të lejuar dëshminë e rreme, kur bëhet fjalë për të qëndruar në medhhebin e tyre.” Ndërsa disa dijetarë të tjerë bëjnë dallim mes bidatçinjve që janë propagandues të bidatit të tyre dhe atyre bidatçinjve që nuk janë të tillë. Sipas këtyre, transmetimet e të parëve nuk lejohen, ndërsa të atyre të fundit lejohen. Ky, në fakt, është mendimi i shumicës së dijetarëve dhe, sigurisht, që është mendimi më i drejtë në këtë çështje.

Disa nxënës dhe pasues të imam Shafiiut kanë qenë unanimë në mendimin se transmetimet e bidatçiut që propagandon dhe fton në pasimin e bidatit të tij janë të papranueshme. Ndërsa për atë që nuk është i tillë, ata kanë patur mendime të ndryshme: a pranohet transmetimi i tij apo jo.  Ebu Hatim Ibn Hibani ka thënë: “Imamët tanë janë unanimë në qëndrimin se është i palejueshëm argumentimi me transmetimet e sjella nga bidatçinjtë që e propagandojnë bidatin e tyre. Asnjë nuk e kundërshton këtë qëndrim.” Për sa i përket mendimit të parë në këtë çështje, ai është shumë i dobët. Në të dy ‘Sahih’-ët dhe në librat e imamëve të hadithit, ka shumë transmetime të pranuara nga shumë bidatçinj, të cilët nuk janë propagandues të bidatit të tyre.

Dijetarët e parë dhe ata të mëvonshmit i kanë pranuar vazhdimisht transmetimet e kësaj kategorie bidatçinjsh. Ata vazhdimisht kanë dëgjuar hadithe prej tyre dhe u kanë mundësuar edhe atyre të dëgjojnë hadithet që transmetonin imamët e mëdhenj, pa kurrfarë vërejtjeje. Sidoqoftë, Allahu i Lartësuar është më i ditur. (Për më gjerë, shih parathënien e imam Neveviut në “Komentari i Sahihut të Muslimit”.) [Sh.p.].