– ”Ndërsa ata të cilëve u është dhënë dituria, e shohin qartë se kjo që të është shpallur ty nga Zoti yt, është e vërteta dhe ajo të udhëzon për në rrugën e Ngadhënjimtarit, të Lavdëruarit.” – Në ajetet e mësipërme, Allahu i Lartësuar na tregon rreth atyre që e mohojnë ringjalljen dhe atë që profetët sollën nga Zoti. Në vijim, Ai na tregon për gjendjen e atyre që janë të udhëzuar, pra, njerëzve të ditur.
Ata e dinë mirë dhe janë të bindur se ajo që iu shpall profetëve është e vërtetë e sigurt dhe e padiskutueshme. Të sakta janë lajmet e sjella në atë Libër dhe të vërteta. Të drejta janë edhe ligjet që Zoti solli për njerëzimin. E gjithë e vërteta është e kufizuar veçse në Shpalljen e Allahut dhe gjithçka tjetër që bie ndesh me të është e kotë dhe e gabuar. Kështu gjykojnë këta të zgjedhur, sepse ata kanë arritur në një gradë të lartë të sigurisë dhe diturisë.
Ata janë të bindur se ato ligje, urdhëresa dhe ndalesa të sjella në Librin e Zotit, udhëzojnë në rrugën e drejtë, në rrugën e Ngadhënjimtarit, të Lavdëruarit. Ata arrijnë në këtë përfundim, sepse janë të bindur për disa çështje:
1. Janë të bindur se ai që i informoi për këtë Shpallje është Zoti dhe Profeti besnik i Zotit.
2. Ata e shohin me sytë e tyre se çdo gjë që Zoti i njoftoi është në përputhje të plotë me realitetin dhe atë që ndodh. Është vetë realiteti që e vërteton atë që Zoti dhe Profeti kanë thënë e njoftuar.
3. Këto lajme janë në përputhje të plotë edhe me Shpalljet e shkuara.
4. Ata i shohin ajetet e Allahut dhe Shpalljet e Tij që të shpalosen në horizont dhe në vetet e tyre. Kjo botë e mrekullueshme e rregullt dhe çdo gjë e bukur në të na dëshmon për emrat dhe cilësitë madhështore të Krijuesit dhe Rregulluesit të saj.
5. Kur shohin urdhëresat dhe ndalesat që ka ligjëruar Zoti, të diturit e kuptojnë se vetëm ato ligje mund ta pastrojnë dhe lartësojnë njeriun dhe t’i mundësojnë atij shpërblime të mëdha. Ato e disiplinojnë atë që i zbaton, por edhe të tjerët dhe i edukojnë e nxisin që të stolisen me cilësi e virtyte të larta, si sinqeriteti, bamirësia ndaj prindërve, mbajtja e lidhjeve farefisnore, bamirësia ndaj të gjitha krijesave etj.
Ato ligje e ndalojnë dhe e frenojnë njeriun nga çdo cilësi e keqe që e përdhos pastërtinë shpirtërore, i shkatërron shpërblimet e Zotit dhe e ngarkon robin me peshën e gjynaheve, me errësirat e shirkut, imoralitetit, fajdesë, padrejtësive e shkeljes së gjakut, nderit, si dhe pasurisë së njerëzve. Ky ajet është një lëvdatë dhe vlerësim për besimtarët, një shenjë dalluese për ta. Allahu e ka marrë në konsideratë dëshminë dhe fjalën e tyre.
Ata do të dëshmojnë kundër mashtruesve dhe mohuesve. Sa më e madhe dhe e plotë të jetë dituria e robit për Shpalljen e Zotit, për lajmet dhe ligjet e tij, aq më e spikatur është dituria dhe urtësia e tij edhe në çështje të tjera, nëse është i sinqertë me Allahun, dhe aq më e vlefshme është dëshmia dhe fjala e tij rreth asaj që sollën profetët.