– ”Kush përpiqet, përpiqet vetëm për të mirën e vetvetes …” – Por ai që lufton dhe përpiqet e bën këtë për të mirën e vetvetes. Ai, në fakt, po lufton për t’u mbrojtur nga ligësia e vetvetes, e shejtanit dhe e mohuesve armiqësorë.
– ”… sepse Allahu nuk ka nevojë për asgjë.” – Pasi dobia e kësaj lufte kthehet pikërisht tek ai dhe ai do t’i marrë frytet e kësaj lufte. Allahu është i Pasur dhe Jonevojtar për botën. Urdhëresat që i ka ligjëruar nuk i ka dhënë për të përfituar ndonjë gjë për vete dhe ndalesat që ka ligjëruar për ta nuk i ka bërë si koprraci ndaj tyre. Dihet mirë se, për të përmbushur urdhëresat dhe ndalesat, njeriu duhet të përpiqet dhe të luftojë shumë, sepse në natyrën e tij ai vetëm qahet e tregohet i dobët e i ngadaltë.
Ai shpesh tregohet i plogësht në arritjen e mirësive, aq më tepër kur shejtanët ia rëndojnë dhe ia vështirësojnë diçka të tillë. Po kështu, edhe armiqtë mohues e pengojnë atë që ta përmbushë besimin e tij, si dhe ta shfaqë haptazi dhe me krenari fenë dhe besimin e tij, ashtu siç duhet dhe siç është urdhëruar nga Zoti. Të gjitha këto pengesa e armiq kërkojnë përpjekje të forta dhe luftë të pareshtur për t’ia dalë mbanë.