– “Ai ju krijoi ju të gjithëve prej një njeriu të vetëm (Ademit); …“ – Tregues i krenarisë dhe fuqisë së Zotit është edhe fakti që: “Ai ju krijoi ju të gjithëve prej një njeriu të vetëm (Ademit); …”, edhe pse tashmë jeni aq të shumtë dhe të shpërndarë në të gjitha anët e tokës.
– “… pastaj prej tij krijoi bashkëshorten e tij (Havanë).“ – Ai bëri që njeriu të ketë shoqen e tij, që të gjejë strehim, qetësi e prehje. Kështu plotësohet mirësia e Zotit mbi njeriun.
– “Dhe Ai krijoi për ju katër lloje kafshësh në çift.“ – Allahu i krijoi me caktimin që zbriti nga Ai. Ai i krijoi katër lloje kafshësh në çift, që janë përmendur në suren Enam: “Janë tetë krerë bagëtish: dy krerë dhensh (femër e mashkull) dhe dy krerë dhish (femër e mashkull). Thuaj: “A janë ndaluar meshkujt apo femrat e këtyre, apo ajo që mbajnë në bark femrat?” Më tregoni, pra, me dije të saktë, nëse ato që thoni janë të vërteta! Edhe nga devetë janë dy krerë (femër e mashkull) dhe nga lopët dy krerë (femër e mashkull). Thuaj: “A janë ndaluar meshkujt apo femrat, apo ajo që mbajnë në bark femrat?” Mos vallë, ishit dëshmitarë kur Allahu vendosi këto rregulla?” E kush është më i padrejtë se ai që trillon gënjeshtra ndaj Allahut për t’i devijuar njerëzit nga padija e tyre? Pa dyshim, Allahu nuk i udhëzon keqbërësit.“ [Enam 143 – 144].
Edhe pse Allahu i Lartësuar ka krijuar edhe kafshë të tjera në shërbim të njeriut, i veçoi këto për vetë dobinë e tyre të madhe ndër njerëz. Ai i dalloi me cilësi që nuk i kanë të tjerat. Kështu, ato vlejnë dhe janë zgjedhur t’i përdorim për kurban dhe akika. Për ato nxirret zekat dhe ato përdoren edhe për të përmbushur e paguar dëmshpërblimet për gjakun dhe vrasjen, ndërkohë që të tjerat nuk përdoren për të tilla rregulla dhe ligje. Pasi përmendi fillimin e krijimit të prindërve tanë të parë, Allahu i Lartësuar vijon të na tregojë edhe krijimin tonë në barkun e nënave. Ai thotë:
– “Ai ju krijon ju në barkun e nënave tuaja, etapë pas etape, në tri errësira.“ – Ai ju krijon fazë pas faze, atje ku nuk ju prek asnjë dëm dhe as një sy nuk ju sheh. Është Allahu Ai që kujdeset për ju në atë vend të ngushtë. Ai thotë se na krijon: “… në tri errësira …”, që janë errësira e barkut, errësira e mitrës dhe errësira e placentës.
– “Ky është Allahu, Zoti juaj. Në dorën e Tij është i gjithë pushteti. Nuk ka zot tjetër (që e meriton adhurimin) përveç Atij.“ – Ai që krijoi qiejt dhe Tokën, vendosi dhe nënshtroi Diellin dhe Hënën, ju krijoi ju, që krijoi për ju kafshët dhe çdo mirësi tjetër, është Allahu, Zoti i juaj. Ai është i Adhuruari, që duhet ta doni me gjithë shpirt dhe ta madhëroni. Është Ai që kujdeset dhe rregullon çështjet tuaja. Ashtu siç është i vetëm dhe i pashoq në faktin që ju ka krijuar dhe kujdeset për çështjet tuaja, ashtu duhet të jetë i vetëm në meritën e adhurimit tuaj.
– “Atëherë, si i shmangeni (adhurimit të Tij)?“ – Si devijoni dhe largoheni nga kjo, pas gjithë atyre argumenteve që tregojnë se vetëm Ai e meriton sinqeritetin tuaj, dhe zhyteni në errësirën e idhujtarisë?! Si adhuroni ata që nuk kanë asgjë në dorë, që të kujdesen për ndonjë çështje?!