Select Page

– “A nuk shohin ata se sa breza para tyre i shkatërruam, atyre që Ne u mundësuam në Tokë çfarë nuk ju kemi mundësuar juve?” – Janë të shumtë popujt që Allahu i Madhëruar ka shkatërruar në të shkuarën. Ai u dha afat dhe u mundësoi plot mirësi e begati, si fëmijë, pasuri, luks, pushtet e famë të madhe. Allahu i Madhëruar thotë:

– “Ne u lëshonim atyre shi të bollshëm nga qielli dhe patëm bërë që ndër ta të rridhnin lumenj, …” – Nëpërmjet këtij shiu të bollshëm Allahu i Madhëruar u mundësoi atyre popujve të shkuar të kultivonin larmi bimësh e frytesh, të kënaqeshin dhe të shijonin çfarë të dëshironin. Por ata nuk e falënderuan Allahun për begatitë e dhuruara dhe as nuk u treguan mirënjohës nëpërmjet adhurimit që Ai kërkoi prej tyre.

Përkundrazi, ata u harruan në shfrenim dhe në përmbushjen e dëshirave të tyre. Ata shijuan gjithë ato mirësi dhe nuk e adhuruan Allahun. Edhe kur profetët e Allahut iu përcollën argumente të qarta dhe të sigurta, ata nuk pranuan t’i besonin, por padrejtësisht i hodhën poshtë duke i konsideruar si të pavërteta. Atëherë, Allahu i Madhëruar i ndëshkoi për shkak të këtyre gjynaheve dhe pas tyre solli popuj të tjerë:

– “… por për shkak të gjynaheve të tyre, i shkatërruam dhe sollëm popuj të tjerë.” – Ky është rregulli i Allahut me popujt e shkuar dhe me ata të mëvonshmit, prandaj merrni mësim prej atyre, që e mësuat si përfunduan!