Pasi foli për gjendjen e jobesimtarëve që mohuan profetët, Allahu i Lartësuar i fton ata që të vështrojnë shenjat e Tij në natyrë, për të mësuar mbi pushtetin absolut të Tij. Kështu, i Madhëruari thotë:
– “A nuk e vështrojnë qiellin sipër tyre, …” – Nuk është e nevojshme që të lodhesh shumë për të konstatuar madhështinë e Allahut dhe të krijimit të Tij të mrekullueshëm. Mjafton të hedhësh vështrimin lart në qiell, për të parë rregullsinë dhe bukurinë e krijimit të Zotit të gjithësisë.
– “… se si e kemi ndërtuar dhe zbukuruar, pa lejuar në të asnjë të çarë?!” – Vëreni se si e kemi ndërtuar qiellin, me rregullsinë dhe qëndrueshmërinë e tij të pabesueshme. Pastaj shihni yjet, që e zbukurojnë atë për çdo sy që sheh. Në këtë madhështi nuk mund të vëresh asnjë të çarë, asnjë defekt apo çrregullim. Allahu i Lartësuar e ka bërë qiellin si çati mbrojtëse për krijesat e tokës dhe ka vendosur në të gjëra që konsiderohen si domosdoshmëri për jetën në tokë.