Select Page

– “Ditën, kur Allahu t’i ringjallë të gjithë, do t’i njoftojë se çfarë kanë punuar. Allahu i ka shënuar të gjitha, edhe pse ata i kanë harruar.” – Allahu i Madhëruar na tregon se ditën kur të ringjallë krijesat, Ai do t’i shpërblejë të gjithë sipas veprave të kryera, të mira apo të këqija qofshin ato, sepse Ai është i Dituri për gjithçka dhe i ka shënuar të gjitha veprat e tyre në Leuhi Mahfudh.

Gjithashtu, Allahu i Madhëruar ka urdhëruar melekët shkrues që t’i regjistrojnë veprat e robërve  imtësisht dhe korrektësisht. Allahu i Madhëruar ka regjistruar gjithçka me saktësi, pa i shpëtuar asgjë, sado e vogël të jetë ajo.

– “Allahu është Mbikëqyrësi i gjithçkaje. A nuk e di ti se Allahu di për gjithçka që gjendet në qiej dhe për gjithçka që gjendet në Tokë?!” – Allahu i Madhëruar është dëshmues dhe i ditur për çështjet e shfaqura e ato të fshehura, për të dukshmet dhe për ato që mbahen të fshehta. Dituria e Tij përfshin çdo gjë në qiej dhe në Tokë, e vogël apo e madhe. Gjithashtu, Allahu i Madhëruar na tregon se:

– “Nuk bëhet bisedë e fshehtë mes tre vetave, që Ai të mos jetë i katërti e as mes pesë vetave, që Ai të mos jetë i gjashti e as mes më pak dhe as mes më shumë vetave, që Ai të mos jetë me ta, kudo që të jenë.” – Kjo do të thotë që Allahu është pranë robërve  me diturinë e Tij absolute, duke ditur me hollësi edhe bisedat e tyre më të fshehta. Për këtë arsye, Ai thotë më pas:

– “Më pas, Ditën e Kijametit, Ai do t’i njoftojë ata për çfarë kanë bërë. Allahu Di gjithçka.” – Allahu është pranë tyre me diturinë e Tij gjithëpërfshirëse, prandaj edhe shpërblimi i Tij për veprat do të jetë i drejtë dhe korrekt.