Select Page

– “Vetëm tek Ai janë çelësat e fshehtësive dhe ato nuk i di askush tjetër veç Tij. Ai di çfarë ka në tokë dhe në det.“ – Ky ajet i madh është një nga më të mrekullueshmit, që përshkruan diturinë gjithëpërfshirëse të Allahut të Madhëruar. Dituria e Tij ka përfshirë të gjitha fshehtësitë, nga të cilat Ai zbulon aq sa dëshiron dhe atyre krijesave që Ai dëshiron. Por për shumë fshehtësi nuk dinë as melekët më të mëdhenj e më të afërt të Tij, dhe as profetët e dërguar prej Tij, e aq më pak të tjerët. Ai di gjithçka për njerëzit, kafshët, pemët, gurët, dheun, detet e oqeanet dhe çfarë përmbajnë ato.

– “As edhe një gjethe nuk bie pa dijeninë e Tij.“ – Për çdo gjethe të pemëve të tokës e të detit, në fusha e male, në dynja dhe në ahiret.

– “Nuk ka kokërr në thellësi të Tokës, s’ka të njomë dhe s’ka të thatë, që nuk është në Librin e qartë.“  Nuk ka kokërr të frutave apo të farërave që mbillen nga njerëzit apo që rriten vetë nëpër fusha e pyje, që nuk është shënuar në Librin e qartë, pra, në Leuĥi Maĥfûđh. Vetëm një pjesë e këtyre gjërave që janë përmendur, habit mendjen e të diturve dhe zemrat e të urtëve. Kjo tregon për madhështinë e Zotit të Lartësuar dhe faktin se Ai është Absolut në të gjitha emrat dhe cilësitë e Tij. Sikur krijesat të mblidheshin të gjitha për të kuptuar tërësisht vetëm një nga cilësitë e Tij, nuk do të kishin mundësi për t’ia arritur.

I lartësuar dhe i madhëruar qoftë Zoti i Lavdëruar e Madhështor! Ai është El Uâsiu – i Gjeri (në cilësitë e Tij) dhe El Alîm – i Gjithëdituri, El Ĥamîdu – i Lavdëruari dhe El Mexhîd – i Madhëruari, El Shehîdu – Dëshmuesi i gjithçkaje dhe El Muĥîŧu – Gjithëpërfshirësi. I lavdëruar qoftë Allahu, që është i vetmi i Adhuruar me meritë! Ai është i Adhuruari, i Lavdishmi, që askush nuk mund të arrijë ta lavdërojë ashtu si e meriton. Ai qoftë i lavdëruar, ashtu sikurse e ka lavdëruar Veten e Vet! Ai është shumë më lart sesa lëvdatat që mund t’i thurin krijesat e Tij. Ky ajet tregon për diturinë absolute të Allahut mbi gjithçka. Ai tregon, gjithashtu, edhe për Leuĥi Maĥfûđh-in, në të cilin është shënuar çdo gjë që ndodh në ekzistencë.