Pasi u përmendën profetët, të cilët ndoqën rrugën e kënaqësisë së Allahut dhe të kthimit tek Ai me pendim, bindje e nënshtrim, vijohet me brezat pasardhës, të cilët e shkatërruan trashëgiminë që u lanë profetët e Zotit. Ata iu kthyen punëve të mbrapshta dhe braktisën namazin, që ishin urdhëruar ta kryenin me përpikmëri. Në fillim u treguan të pakujdesshëm ndaj tij dhe dalëngadalë e braktisën fare.
E nëse ata braktisën namazin, i cili është shtylla e besimit dhe e fesë, është peshorja e saktë e imanit dhe e sinqeritetit me Zotin e botëve, atëherë për çështjet e tjera të besimit mos pyet. Kur shpërfillën veprën më të detyrueshme, për të tjerat s’bëhet fjalë. Shkaku i kësaj humbjeje ishte fakti se ata ndoqën dëshirat e tyre dhe të gjitha forcat i
përqendruan në plotësimin e kënaqësive vetjake, të cilat u bënë më parësore edhe se haku i Zotit. Për ta nuk kishte më rëndësi se me ç’rrugë i arrinin ato kënaqësi:
– ”Por, pas tyre (të mirëve) erdhën pasardhës të këqij, që e lanë namazin dhe u dhanë pas kënaqësive (trupore). Ata do të vuajnë në ndëshkime (të Xhehenemit).” – Ata do të flaken në një ndëshkim të ashpër dhe shumëfishtë. Pastaj, Allahu i Madhëruar bën përjashtim për disa: