– ”O Profet! Thuaju grave e bijave të tua dhe grave besimtare që të hedhin mbulesën!” – Ky ajet quhet ndryshe edhe ‘ajeti i hixhabit’. Allahu i Madhëruar e urdhëron Profetin e Tij që të urdhërojë gratë muslimane në mënyrë të përgjithshme, por duke filluar me gratë dhe vajzat e tij, sepse ato janë më parësore se të tjerat për të zbatuar ligjin e Zotit. Gjithashtu, para se dikush të urdhërojë të tjerët duhet të fillojë me familjen e vet, ashtu siç ka mësuar Allahu i Madhëruar: “O ju që keni besuar! Ruajeni veten dhe familjen tuaj prej Zjarrit, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët! …” [Tahrim 6].
Allahu i Madhëruar thotë: “O Profet! Thuaju grave e bijave të tua dhe grave besimtare që të hedhin mbulesën!” Xhelabib (mbulesa) janë ato veshje që hidhen sipër të gjitha rrobave të tjera që ka veshur gruaja, si mbështjellësja e kokës, shamia mbuluese, veshja e trupit etj. Xhelabib, pra, është mbulesa e sipërme që mbulon edhe fytyrën e gjoksin. Pastaj përmenden urtësinë e kësaj norme:
– ”Kjo është mënyra më e mirë që ato të njihen (se janë të ndershme) dhe që askush të mos i ngacmojë.” – Kjo tregon se, nëse nuk mbulohen, atyre mund t’u jepet mundim nga njerëzit, sepse mund të mendojnë se janë jo të ndershme. Kështu, mund t’u afrohen ata që i kanë zemrat e sëmura. Madje, dikush edhe mund t’i poshtërojë, duke menduar se janë skllave (sepse zakonisht në atë kohë skllavet nuk mbuloheshin). Në këtë mënyrë, mbulesa i largon ata dhe i mbron gratë nga këto synime të ulta.
– ”Allahu është Falës i Madh e Mëshirëplotë.” – Ai jua ka falur gjynahet që kanë kaluar dhe ju ka mëshiruar, duke ju qartësuar ligjet dhe dispozitat e Tij dhe duke jua bërë të qartë hallallin nga harami. Kështu i mbyllet rruga së keqes që në rrënjë nga ana e besimtarëve. Ndërsa për sa i përket së keqes që vjen nga të ligjtë, Ai kërcënon duke thënë: