– “Thuaj: “Sikur të ishte në dorën time ajo për të cilën nguteni, çështja mes meje dhe jush do të kishte e përfunduar.”! – Thuaju atyre që kërkojnë përshpejtimin e ndëshkimit, nga injoranca, arroganca dhe padrejtësia që i karakterizon: Sikur çështja të ishte në dorën time dhe të isha unë ai që e ekzekutoja ndëshkimin, atëherë nuk do të kishte asnjë lloj dobie për ju, o të mjerë.
Por çështja është në dorën e Allahut, që është El Halimu – i Butë e i Mëshirshëm, që nuk nxitohet të ndëshkojë gabimtarin, edhe pse është i Plotfuqishëm ta bëjë këtë, por e afatizon dhe i jep mundësi për pendim e kthim.
Allahu është El Sabur – Durimtari, i Cili, edhe pse të poshtërit bëjnë gjynahe dhe nuk i binden, madje kanë guximin që të rebelohen kundër Tij, Ai përsëri u jep shëndet dhe i ruan, i furnizon dhe lëshon mbi ta në mënyrë të vazhdueshme mirësi të dukshme e të padukshme, të hapura e të fshehura.
– Allahu është i Gjithëditur për keqbërësit. – Të mos harrojnë ata se Allahut nuk i fshihet asnjë veprim i tyre dhe të mos mashtrohen nga afatizimi i Tij. Ai vërtet afatizon, por kurrë nuk do t’i lërë krijesat pa i marrë në përgjegjësi për veprat e tyre, kur të vijë koha për një gjë të tillë.