– ”Sa e sa popuj kemi ndëshkuar më parë, të cilët u shkatërruan në jetën e tyre (me padrejtësi e gjynahe)?” – Ata u vetëmashtruan me lëvdata dhe mburrje për stolitë e kësaj dynjaje. Ajo i mashtroi dhe i shpërqendroi nga imani, prandaj Allahu i Lartësuar i shkatërroi, ua largoi mirësitë dhe i mbuloi me fatkeqësi. Ai thotë:
– ”Tani ato vendbanime banohen shumë pak.” – Kjo ndodhi për shkak të përsëritjes së rënies të dënimeve mbi ta, si edhe për shkak të frikës dhe pasigurisë që mbuluan atë vend.
– ”Jemi Ne që trashëgojmë gjithçka.” – Ne do t’ua lëmë në trashëgim robërve Tanë. Në fund, gjithçka do t’i mbetet Zotit. Të gjitha mirësitë që kanë njerëzit në këtë dynja do t’i lënë pas, dhe pastaj do të kthehen tek Zoti, që do t’i shpërblejë sipas punëve të tyre. Nga mëshira dhe urtësia e Tij kurrë nuk do t’i ndëshkonte popujt thjesht duke u nisur nga mohimi i tyre, pa u dërguar fillimisht argumente dhe qortues. Këtë Ai e ka bërë duke dërguar profetë ndër ta. Ai thotë: