Select Page

O ju që keni besuar! Ata të cilët i keni në zotërimin tuaj (shërbëtorët) dhe ata (fëmijët) që nuk kanë arritur moshën e pjekurisë, duhet të kërkojnë leje prej jush në tri raste: para namazit të sabahut, në drekëherë kur hiqni rrobat (për të pushuar) dhe pas namazit të jacisë.“ – Allahu i Madhëruar urdhëroi besimtarët që t’i mësojnë skllevërit dhe ata të cilët ende nuk kanë mbushur moshën e përgjegjësisë ligjore që të pajisen me këtë edukatë të mrekullueshme.

Ata duhet të kërkojnë leje para se të futen nëpër ambientet dhe dhomat e shtëpisë, në disa kohë të caktuara, duke na qartësuar urtësinë e këtij urdhri. Allahu i Madhëruar përmend tri kohë: së pari, koha kur njerëzit bien në gjumë pas namazit të jacisë. Së dyti, është koha e zgjimit para namazit të sabahut. Në këto dy kohë kryesisht njerëzit i heqin robat e zakonshme dhe përgatiten për gjumë jo me veshjen e zakonshme. Ndërsa koha e tretë është koha e gjumit të drekës.

Duke qenë se në këtë kohë jo gjithmonë njerëzit i heqin rrobat e zakonshme për të veshur roba të tjera, Allahu i Madhëruar e thekson dhe thotë: “…në drekëhere kur hiqni rrobat (për të pushuar)” Kjo është koha kur bëhet gjumi i drekës, i ashtuquajturi kajlule. Në këto kohë, edhe skllevërit apo shërbëtorët, edhe fëmijët janë njëlloj si të tjerët, domethënë nuk u lejohet të hyjnë nëpër dhoma pa kërkuar leje. Ndërsa jashtë këtyre tri kohëve ata janë të lirë të lëvizin. Allahu i Madhëruar thotë:

Këto janë tri kohë, kur ju nuk jeni të veshur. Përveç këtyre tri kohëve, nuk është gjynah as për ju e as për ata, që të vizitoni njëri-tjerin.“ – Ata vërtiten mes jush për t’ju shërbyer në kërkesat tuaja.

Kështu jua qartëson Allahu Argumentat e Tij.“ – Kështu ju qartëson Allahu i Madhëruar ajetet e Tij, duke ju treguar edhe urtësitë që fshihen pas tyre, në mënyrë që të sigurohen plotësisht, të njohin mirë mëshirën dhe urtësinë e Atij që i vendos këto norma.

Allahu është i Gjithëditur, i Urtë.“ – Dituria e Allahut përfshin çdo gjë: ato që patjetër ekzistojnë, ato që është e pamundur të ekzistojnë dhe ato që është e mundur që të ekzistojnë. Ai është i Urtë dhe me urtësinë e Tij çdo gjë e vendos në vendin e vet. Kështu, çdo krijese Ai i ka dhënë krijimin e përshtatshëm dhe çdo ligji të Sheriatit i ka vendosur dispozitën që i përshtatet. Të tilla janë edhe këto rregulla, që Ai na i sqaroi, na e shpjegoi urtësinë që fshihet pas tyre, si dhe na tregoi dobinë e madhe fetare dhe morale që arrihet me to.