Pasi foli për të gjithë këta profetë e lajmëtarë të nderuar, që ishin prej më të zgjedhurve, Allahu i Madhëruar thotë:
– ”Këta ishin ata që Allahu i dalloi nga profetët pasardhës të Ademit, …” – Këta janë ata të cilët Allahu i begatoi me një mirësi, që nuk mund të arrihet nga askush. Ai u dhuroi atyre profetësinë e shpalljen. Këta ishin edukatorët, për të cilët Allahu na ka urdhëruar që të lutemi e të themi në çdo rekat namazi: “Na udhëzo në rrugë të drejtë, në rrugën e atyre të cilët Ti i begatove, e jo në rrugën e atyre që merituan zemërimin dhe as në rrugën e të humburve!” [Fatiha 6, 7].
Këta janë ata që Allahu i begatoi me të mira. Allahu na ka premtuar se, nëse i bindemi Atij, atëherë do të jemi në shoqërinë e këtyre të lumturve e të zgjedhurve: “Kushdo që i bindet Allahut dhe të Dërguarit, do të jetë me ata të cilëve Allahu u ka dhuruar mirësi të shumta – me profetët, me të sinqertët, me dëshmorët dhe me vepërmirët. Sa shokë të mirë janë ata! Ky është shpërblimi që vjen prej Allahut dhe mjafton që Allahu Di gjithçka.” [Nisa 69].
– ”… pasardhës të atyre që i patëm bartur (në anije) bashkë me Nuhun, …” – Disa profetë ishin pasardhës të Ademit dhe të atyre që i bartëm në anije me Nuhun. Të tjerët që erdhën më pas ishin:
– ”… pasardhës të Ibrahimit dhe të Jakubit (Israilët) dhe prej atyre, që i udhëzuam dhe i bëmë të zgjedhur.” – Këto ishin shtëpitë më të mira në botë, që Zoti i zgjodhi, i dalloi dhe lartësoi mbi të tjerët. Të gjithë këta të zgjedhur, kur u lexoheshin ajetet e Rahmanit, binin në sexhde. Ata shprehnin mirënjohje dhe përulësi, sepse në shpalljet e Zotit ata gjenin lajme rreth çështjeve të fshehta dhe rreth atributeve të Allahut, që di çdo të fshehtë. Atje përshkruhet Dita e Gjykimit, premtimet dhe kërcënimet e Zotit.
– ”Kur atyre u lexoheshin ajetet e Zotit ata binin në sexhde dhe qanin.” – Ata nënshtroheshin dhe shprehnin bindjen e plotë ndaj ajeteve të Allahut, me shpresë dhe respekt. Shpallja ndikonte fort në zemrat e tyre, duke u forcuar imanin. Zemrat u mbusheshin me frikë e me shpresë, ndërsa sytë u mbusheshin me lot. Ashtu i shprehnin Zotit pendimin e sinqertë dhe kërkonin falje e mëshirë.
Ata binin në sexhde për të adhuruar Zotin e tyre. Ata ishin ndryshe nga të tjerët që, kur dëgjonin ajetet e Zotit, bëheshin të shurdhër e të verbër. Vërej me kujdes! Allahu thotë: “ajetet e Rahmanit”, për të na treguar se shpalljet janë treguese të mëshirës dhe bamirësisë së Tij për njerëzit. Përmes këtyre ajeteve, Ai udhëzon drejt së vërtetës u hap sytë njerëzve për ta parë qartë atë. Me Shpalljen, Allahu i shpëton ata nga humbja dhe devijimi. Nëpërmjet Shpalljes, Ai u jep diturinë e saktë e të dobishme dhe u hap rrugën për të punuar e jetuar sipas saj.