– “Unë nuk kërkoj prej tyre ndonjë furnizim e as kërkoj që të më ushqejnë. Allahu, Ai është Furnizuesi i madh e Fuqiploti.” – Çdo kafshë në tokë, në qiell dhe kudo qoftë, e ka të siguruar rizkun nga Allahu i Lartësuar; Ai kujdeset për çdo nevojë të tyre. Allahu është Fuqiploti. Në dorën e Tij është gjithçka. Me fuqinë dhe pushtetin e Tij, Allahu krijoi këtë madhështi në botën qiellore dhe tokësore. Me pushtetin e Tij, Ai përkujdeset për botën dhe gjithçka ka në të.
Çdo gjë ekziston dhe funksionon sipas dëshirës së Tij. Ajo që Allahu ka dëshiruar është, ndërsa ajo që Allahu nuk e ka dëshiruar nuk është. Askush nuk mund t’i fshihet Atij dhe askush nuk mund t’i shmanget pushtetit dhe sundimit të Tij. Me fuqinë e Tij, Allahu ushqen dhe furnizon çdo krijesë. Me fuqinë e Tij, Ai do t’i ringjallë trupat, pasi ata të jenë tretur e të jenë bërë pluhur në tokë apo të kenë humbur nëpër dete e oqeane. Askush nuk i shpëton dot llogarisë së të Drejtit. I Lartësuar qoftë i Allahu i Plotfuqishëm!