– “Faraoni tha: “O Musa! Mos vallë, na ke ardhur që me magjinë tënde të na nxjerrësh prej tokës sonë (prej Egjiptit)?” – Faraoni pretendoi se shenjat e jashtëzakonshme që solli Musai ishin magji dhe mashtrime, që fshihnin një qëllim tjetër: dëbimin e popullit nga atdheu dhe marrjen e pushtetit. I mallkuari i thoshte këto fjalë që të ndikonte në zemrat e popullit, sepse dihet që njeriu e do atdheun e vet dhe kërkon ta mbrojë atë. Gjithashtu, njeriu e ka shumë të vështirë të largohet dhe ta braktisë vendin e vet. Kështu, duke i manipuluar me fjalë, Faraoni i bindi njerëzit se ky ishte qëllimi i vërtetë i Musait. Në këtë mënyrë, ata do ta urrenin dhe luftonin Musain, duke mos dashur të dëgjonin më prej tij.