– “E kush është më i padrejtë se ai, i cili pasi këshillohet me argumentet e Zotit të vet ua kthen shpinën atyre dhe harron atë që bëri me duart e veta?” – Allahu i Lartësuar na tregon se nuk ka padrejtësi dhe ligësi më të madhe sesa ajo e atij njeriu që këshillohet përmes ajeteve kuranore dhe i qartësohet e vërteta nga e kota, dhe përsëri ai i kthen shpinën kësaj ftese. Edhe pse i vijnë paralajmërime e kërcënime nga Zoti përmes Shpalljes, ai përsëri nuk beson. Ai nuk përfiton aspak nga paralajmërimet dhe nuk kthen rrugë nga ligësitë që bënte.
Ai i harron të gjitha poshtërsitë që bën dhe asnjëherë nuk i frikësohet Mbikëqyrësit, që i di të gjitha të fshehtat. Sigurisht, kjo është padrejtësi më e madhe sesa ajo e atij njeriu që nuk i kanë ardhur qartësisht e hollësisht dhe nuk është paralajmëruar me ajetet e Allahut. Edhe pse edhe ky është i padrejtë, vepra e tij është më e vogël se ajo e atij që është i vetëdijshëm për gjynahet që bën.
Këtë të fundit e dënon Allahu, sepse i kthen shpinën ajeteve dhe i harron gjynahet e veta. Ai kënaqet me gjendjen e vet të mjerë dhe nuk pendohet për gjynahet që bën. Këto gjynahe bëhen shkak që atij t’i mbyllen portat e udhëzimit, sepse i vulosin zemrën.
– “Ne kemi vënë mbi zemrat e tyre mbulesë që të mos e kuptojnë atë (Kur’anin), …” – Kjo vulosje i pengon ata që të kuptojnë ajetet e Allahut, edhe pse mund t’i dëgjojnë ato me veshët e tyre. Ata nuk arrijnë të kuptojnë e as të përfitojnë nga ato ajete. Për ta, Allahu thotë gjithashtu:
– “… dhe në veshët e tyre shurdhërinë. …” – Veshët i kanë të shurdhuar, prandaj ajetet e Allahut nuk arrijnë në zemrën e tyre, edhe pse kalojnë në veshët e tyre. Ai dëgjim nuk u sjell asnjë dobi. Duke qenë në këtë gjendje, nuk ka asnjë rrugë për udhëzimin e tyre. Allahu thotë:
– “… Prandaj edhe nëse i thërret në rrugë të drejtë, ata nuk do ta pranojnë kurrë udhëzimin.” – Ftesës mund t’i përgjigjen ata që nuk kanë ditur gjë më parë. Ndërsa ata të cilët e kanë mësuar njëherë të vërtetën dhe pastaj e braktisin atë, ata tregojnë se parapëlqejnë rrugën e humbjes. Kjo është arsyeja që Allahu i ndëshkon drejtësisht me vulosjen e zemrave. Nuk ka asnjë mënyrë për udhëzimin e tyre.
Ky ajet është një kërcënim shumë i frikshëm për ata që e njohin të vërtetën dhe pastaj e braktisin atë. Këta janë të rrezikuar që të pengohen përfundimisht për të gjetur udhëzimin, dhe kështu kurrë nuk kanë për ta gjetur atë. I mençuri qëndron sa më larg kësaj vepre të frikshme. Në vijim, Allahu i Madhëruar tregon faljen e mëshirën e madhe të Tij për njerëzit. Ai i fal gabimet dhe ua pranon pendimin atyre që pendohen.