– “Ne i nënshtruam retë (gjatë udhëtimit tuaj në shkretëtirë), që t’ju bënin hije, dhe nga qielli ju furnizonim me menna dhe me shkurtëza”. – Menna është një emër që përfaqëson çdo mirësi dhe furnizim të këndshëm që përfitohet pa lodhje e pa mundim, si, për shembull, kërpudhat, tartufi (kem’ah), xhenxhefili etj. Ndërsa shkurtëza (selua) është një zog i vogël, që ka mish shumë të shijshëm. Ky lloj ushqimi u zbriste nga qielli dhe aq sa u mjaftonte për të plotësuar nevojat e tyre të përditshme.
– “Hani nga të mirat që ju kemi dhënë!” – Kuptimi: Hani prej mirësive me të cilat ju furnizuam! E çfarë furnizimi se? Furnizim që, edhe banorët e qyteteve dhe të pasurit nuk e kishin provuar ndonjëherë. Megjithatë, mirënjohja e tyre nuk po dukej. Madje, ata vazhduan të mos e ndryshonin ashpërsinë dhe ngurtësinë e zemrave të tyre, duke u zhytur thellë e më thellë në gjynahe dhe poshtërsi.
Sidoqoftë, me këto vepra të ndyra, të cilat ishin totalisht në kundërshtim me urdhrat e Allahut, ata nuk mund t’i bënin padrejtësi apo të dëmtonin Allahun e Lartësuar. Ai nuk mund të dëmtohet nga mosbindja e krijesave të Tij, ashtu sikurse edhe bindja e tyre nuk i sjell Atij ndonjë dobi. Ai thotë:
– “Por ata nuk na dëmtuan Ne. Ata dëmtuan veç vetveten” – Domethënë, dëmi i këtyre padrejtësive godet pikërisht ata, dhe aspak Allahun e Madhëruar.