Allahu i Lartësuar i drejtohet profetit të Tij, Muhamedit (a.s), dhe të tjerëve: Ti nuk mund të udhëzosh kë dëshiron, edhe sikur të jetë njeriu më i dashur për ty. Kjo është diçka e pamundur për krijesën. Asnjë krijesë nuk mund të japë udhëzimin e plotë të dhënies sukses pra që të krijojë imanin në zemrën e robit. Kjo është në dorën e Zotit të Lartësuar dhe ai e krijon imanin në zemrën e kujt dëshiron nga robërit e Tij. Ai ia jep udhëzimin e plotë atij që dëshiron dhe Ai e di më së miri se kush është i përshtatshëm për udhëzimin e Tij të plotë. Ai i di edhe ata që nuk e meritojnë udhëzimin e Tij dhe i lë në humbjen ku janë zhytur dhe të cilën e kanë preferuar për veten e vet. Në një ajet tjetër, Allahu i Madhëruar thotë: “Pa dyshim, edhe ti udhëzon në rrugën e drejtë…” [Shura 53].
Pra, pohon se edhe Profeti udhëzonte në rrugë të drejtë. Por këtu është fjala për një tjetër lloj udhëzimi: për qartësimin e së vërtetës. Dhe nuk ka dyshim se Profeti (a.s) qartësonte të vërtetën e Zotit. Profeti u qartësoi krijesave rrugën e drejtë dhe i nxit ata për ta pasuar. Ai shpenzoi çdo forcë e mundësi që kishte që njerëzit të ndiqnin dhe pranonin këtë rrugë të drejtë. Megjithatë, Profeti nuk kishte në dorë të krijonte iman në zemrat e njerëzve dhe t’u jepte forcë që të bënin punë të mira sipas imanit të tyre, sepse kjo është në duart e Krijuesit, që, me urtësinë, diturinë dhe butësinë e Tij, ia jep kujt të dëshirojë. Në vijim, Allahu i Lartësuar na tregon për fjalët që i thoshin Profetit mohuesit dhe idhujtarët kurejshë: