Select Page

  Allahu i Lartësuar e urdhëron Profetin e Tij që t’u drejtohet idhujtarëve dhe t’u thotë:

– “Unë jam ndaluar të adhuroj ata që ju i adhuroni përveç Allahut.” – Unë jam ndaluar që t’u kushtoj adhurime atyre që ju adhuroni veç Allahut, kushdo qofshin ata: idhuj, puta e çdo gjë tjetër, që nuk kanë në dorë asnjë lloj mirësie, dëmi apo dobie. Ata nuk zotërojnë pushtet për të dhënë jetën, vdekjen apo për ringjalljen.

Të gjitha adhurimet që u përkushtoni këtyre idhujve janë të kota e të pavlefshme. Për idhujtarinë ju nuk keni justifikime, madje as si keqkuptim nuk lejohet të ndodhë një krim i tillë. Ky është thjesht pasim i epshit, i cili është devijuesi më i madh. Për këtë arsye, i Madhëruari porosit:

– “Thuaj: “Unë nuk i ndjek dëshirat tuaja, sepse atëherë do të isha i humbur e jo prej të udhëzuarve!”” – Unë kurrë nuk do të pasoj pasionet tuaja, sepse kështu do të bëhesha prej të devijuarve nga rruga e drejtë. E si mund të konsiderohen të drejta lutjet drejtuar dikujt që nuk ka asnjë lloj pushteti e mundësie për t’iu përgjigjur atyre?

Ndërsa rruga ime, që është njësimi i Allahut në adhurim me vepra të sinqerta vetëm për Të, është rruga e drejtë, e mbështetur nga faktet logjike e nga shpalljet e Zotit, të padiskutueshme në vërtetësinë e tyre.