Select Page

– “Ata që nuk besojnë, Unë do t’i ndëshkoj ashpër në këtë botë dhe në Botën tjetër, …” – Për sa i përket ndëshkimit në jetën e dynjasë, ai është shumë i dukshëm dhe çdokush e vëren atë, në çdo kohë. Ai shfaqet me shkatërrime e fatkeqësi të mëdha, të cilat quhen rëndom “fatkeqësi natyrore”. Ai shfaqet edhe në formën e poshtërsive apo shfarosjes së njerëzve nëpërmjet luftrave.

Të gjitha këto janë shumë pak, në krahasim me ndëshkimin që i pret ata në jetën tjetër të pasosur. Ai është tmerri, fatkeqësia dhe dëshpërimi  më i madh. Ai është zjarri i Xhehenemit dhe zemërimi i Krenarit, të Plotfuqishmit, të Pamposhturit. Ai është humbja e përjetshme e mundësisë për të shijuar mirësitë e besimtarëve dhe shpërblimin e mrekullueshëm të Allahut të Lartësuar.

– “… dhe ata nuk do të kenë askënd që t’i ndihmojë.” – Askush nuk do t’i ndihmojë ata që të shpëtojnë prej ndëshkimit të merituar. Madje, edhe ata që në këtë jetë i mendojnë si ndërmjetësues tek Allahu, nuk do të mund t’u bëjnë aspak dobi. Të pafuqishëm do të jenë edhe miqtë dhe të dashurit e tyre, të cilët i adhurojnë përveç Allahut. Të gjithë janë të pafuqishëm për të ndihmuar ndonjë, madje as veten e tyre.