– “E megjithatë ata adhurojnë në vend të Allahut gjëra që nuk u sjellin as dobi, as dëm atyre.“ – Ata adhurojnë idhuj e të vdekur, që as nuk sjellin dobi e as dëm. Ata ia shoqërojnë këto idhuj Atij, që është Pronari i vetëm i dobisë dhe dëmit. Ai e ka në dorë të japë dhe të privojë. Ata e kanë detyrë të nënshtrohen për të përmbushur udhëzimet e Zotit të tyre dhe të zbatojnë fenë e Tij, por ata e përmbysin realitetin.
– “Me të vërtetë, jobesimtari bëhet palë (me shejtanin) kundër Zotit të vet.“ – Të gjitha kotësitë siç janë putat, idhujt, janë armiq të Allahut. Ndërsa mohuesit bëhen palë me ta dhe qëndrojnë në krahun e tyre, për t’i ndihmuar kundër Zotit. Kështu, ata kthehen në kundërshtarë që luftojnë kundër fesë së Zotit, ndërkohë që është Zoti Ai që i ka krijuar, furnizuar dhe u ka dhuruar mirësi të dukshme dhe të fshehta.
Por këta të mjerë nuk kanë mundësi të dalin jashtë mbikëqyrjes dhe pushtetit të Zotit. Me gjithë mohimin dhe mosmirënjohjen e tyre, Allahu nuk ua ndërpret mirësitë dhe përkujdesin, sepse është Zoti i botëve.