Select Page

“Ata do të jenë të mbështetur në shtroje, mbulesat e brendshme të të cilave janë prej mëndafshi të stolisur…” – Ky është përshkrimi i shtretërve dhe i vendpushimit të banorëve të Xhenetit. Mënyra e qëndrimit të tyre mbi to tregon qetësinë, prehjen dhe kënaqësinë e tyre të madhe, ashtu si mbretërit në shtretërit e tyre. Bukurinë dhe hijeshinë e shtrojeve të tyre e di veçse Allahu i Madhëruar. Madje, pjesa e poshtme, që zakonisht vendoset në tokë, është prej mëndafshit më të mirë. Atëherë, si do të jetë, vallë, pjesa e sipërme, që prek lëkurën dhe trupin e tyre?!

– “…dhe frytet e pemëve të të dy xheneteve janë shumë pranë. Atëherë, cilën të mirë të Zotit tuaj po e mohoni?!” – Frutat e pemëve në këto xhenete janë shumë pranë për t’u marrë. Ato mund t’i marrë kollaj ai që është në këmbë, ai që është ulur dhe ai që është i shtrirë ose i mbështetur.