Select Page

– “Ata që nuk besojnë do të vijojnë të jenë në dyshim për të (për Kur’anin), …” – Pastaj, Allahu i Madhëruar na tregon për gjendjen e mohuesve dhe për faktin se ata do të vazhdojnë të jenë në dyshim rreth mesazhit të Profetit (a.s.). Kjo ndodh për shkak të inatit, arrogancës dhe shpërfilljes së tyre. Ata do të vazhdojnë në këtë gjendje, derisa:

– “… derisa t’u vijë befas Ora (e Kjametit) ose Dënimi i një Dite shkatërrimtare.” – Do të vazhdojnë ashtu deri kur të vijë befas Kijameti ose t’u vijë dënimi i një dite të zezë, kur nuk do të shohin asnjë të mirë. Kur t’u vijë kjo ditë, mohuesit e besimit të vërtetë do të pendohen, por nuk do t’u vlejë më ky pendim. Ata do të humbin çdo shpresë për të mirën dhe do të dëshironin shumë të kishin besuar Profetin e Zotit dhe të kishin marrë rrugën e tij. Ky ajet është një kërcënim për këta njerëz, që të mos vazhdojnë me dyshimet dhe trillimet e tyre ndaj së vërtetës.