– “Thuaj: “Bindjuni Allahut dhe bindjuni të dërguarit!” – Në fakt, kjo është detyra e tyre, ndërsa detyra e Profetit (a.s) është që thjesht t’ju urdhërojë e t’ju ndalojë. Prandaj: “Bindjuni Allahut dhe bindjuni të Dërguarit!” Nëse bindeni dhe plotësoni urdhëresat, ky është fati juaj dhe fillimi i lumturisë suaj.
– “Por, nëse ju refuzojnë, atëherë ai (i dërguari) është përgjegjës vetëm për atë që është i ngarkuar dhe ju jeni përgjegjës për atë që ju është ngarkuar.“ – Detyra e Profetit është kumtimi i qartë i Shpalljes dhe ai e plotësoi atë. Ndërsa pjesa juaj është: bindja dhe nënshtrimi sipas Shpalljes. Por tashmë duket qartë gjendja juaj. Tashmë doli qartë humbja dhe devijimi juaj, braktisja e rrugës së drejtë dhe merita e dënimit tuaj.
– “Nëse ju i bindeni atij, atëherë e keni gjetur të Vërtetën.“ – Nëse i bindeni Profetit, atëherë do të gjeni plotësisht rrugën e drejtë në fjalët dhe veprat tuaja. Nuk ka asnjë mundësi që të gjeni udhëzimin e drejtë tjetërkund, përveçse nëpërmjet bindjes ndaj Allahut dhe Profetit. Pa bindje dhe nënshtrim është e pamundur që të udhëzoheni.
– “I dërguari ka për detyrë vetëm ta kumtojë qartë (Mesazhin).“ – Ai ka si detyrë kumtimin e qartë, që nuk lë asnjë dyshim tek askush. Dhe, vërtet, Profeti (a.s) e bëri këtë. Ai e kumtoi qartësisht Shpalljen e Zotit. Por Ai që do t’ju llogarisë e shpërblejë për veprat tuaja, është veçse Allahu i Lartësuar. Profeti nuk ka asgjë në dorë në këtë drejtim, pavarësisht se detyrën e tij e kreu plotësisht.