Select Page

– “Kur të vijnë tek ti ata që i besojnë Ajetet Tona, thuaju: “Selamun alejkum! Zoti juaj ia bëri detyrë Vetes së Vet Mëshirën. – Kur të vijnë besimtarët, uroji mirëseardhjen dhe përshëndeti me selam, që t’u ngresh lart moralin e t’u forcosh vullnetin për të vazhduar në rrugën drejt Zotit të tyre!

Përgëzoji ata duke u treguar për mëshirën dhe për bujarinë e gjerë të Allahut, por edhe nxiti ata që të kryejnë çdo punë të mirë e të ndjekin çdo rrugë për të fituar mirësitë e shumta dhe kënaqësinë e Allahut! Këshilloji ata që të mos vazhdojnë me gjynahe dhe urdhëroji për pendim të sinqertë nga të gjitha gjynahet, në mënyrë që të fitojnë dhe të lumturohen me faljen e Zotit dhe bujarinë e Tij të pamatë ndaj të penduarve!

– “Nëse ndonjëri prej jush bën ndonjë të keqe pa e ditur, e pastaj pendohet dhe përmirësohet, s’ka dyshim se Allahu është Falës i Madh dhe Mëshirëplotë.” – Është e domosdoshme lënia e gjynaheve, distancimi prej tyre dhe pendimi për to. Gjithashtu, është detyrë kryerja e veprave të mira dhe plotësimi i detyrimeve të vendosura nga Allahu, qofshin këto detyrime fizike, materiale, monetare apo morale, si edhe rregullimi i çdo gjëje të dëmtuar, qofshin dëmtime të shkaktuara nga punë të jashtme e të dukshme, qofshin punë të brendshme e të padukshme.

Nëse të gjitha këto kushte të pendimit plotësohen, atëherë i Lartësuari thotë: “… s’ka dyshim se Allahu është Falës i Madh dhe Mëshirëplotë.” Ai ka për të derdhur mbi këta fatlumë mbarësi e mirësi prej mëshirës dhe bujarisë së Tij, në varësi të zbatimit të detyrimeve nga ana e tyre.