– ”Dhe ata do të privohen nga ajo që e dëshironin, …” – Tashmë u janë larguar kënaqësitë e kësaj dynjaje, dëshirat, pasuritë, përjetimet, fëmijët, shërbëtorët dhe ushtritë e tyre. Tashmë janë të vetmuar dhe do të dalin para Zotit veçse me veprat e tyre. Çdokush do të dalë para Zotit i vetmuar ashtu siç Zoti e krijoi, dhe do të lerë pas gjithçka që zotëron.
– ”… ashtu sikurse ndodhi më parë me të ngjashmit e tyre.” – Kështu ka ndodhur me gjithë brezat që kanë kaluar, kur atyre u zbriti vdekja dhe shkatërrimi. Ata u privuan nga të gjitha kënaqësitë e kësaj dynjaje.
– ”Vërtet, ata ishin plot dyshime e pasiguri.” – Zemrat e tyre ishin të mbushura me pasiguri dhe dyshime të shumta, prandaj besimi nuk hynte në to dhe ata nuk u nënshtruan kur dëgjuan udhëzimin dhe kur u paralajmëruan nga Zoti.
Këtu përfundon edhe tefsiri i sures Seb’e. Allahut i qoftë lavdërimi e mirësitë dhe vetëm prej Tij vjen ndihma! Vetëm Atij i jemi mbështetur dhe vetëm me Të e kemi lidhur zemrën me besim të plotë.