Allahu i Lartësuar i njofton robërit e Tij që e kanë ngarkuar veten me shumë gjynahe për bujarinë dhe mëshirën e Tij të madhe. Ai i nxit ata që të pendohen dhe të kthehen në adhurimin dhe bindjen ndaj Tij, para se të vijë ajo kohë kur nuk do të kenë mundësi që të kthehen. Allahu i Lartësuar i thotë Profetit (a.s) dhe të gjithë atyre që kryejnë detyrën dhe misionin e profetëve, si dijetarët dhe ata që merren me ftesën e njerëzve në fenë e Tij, që t’u japin njerëzve një lajm të mirë shumë të rëndësishëm rreth Zotit:
– “Thuaj: “O robërit e Mi, të cilët e keni ngarkuar shpirtin tuaj me shumë gjynahe! Mos e humbni shpresën në Mëshirën e Allahut! Allahu i fal të gjitha gjynahet.“ – O ju njerëz, që e keni ngarkuar veten me gjynahe dhe keni shkuar pas dëshirave tuaja, edhe pse kjo shkakton zemërimin e Allahut, që është i Gjithëditur rreth çdo të fshehte: “Mos e humbni shpresën në Mëshirën e Allahut! Allahu i fal të gjitha gjynahet. Ai është Falës i Madh dhe Mëshirëplotë.” Pra, kurrë mos e humbisni shpresën dhe të shkoni me këmbët tuaja drejt shkatërrimit duke thënë: Unë tashmë jam i humbur, sepse gjynahet e mia janë të shumta dhe nuk ka asnjë rrugë për faljen e tyre dhe rregullimin e të metave të mia!
Nëse bëni këtë gabim të madh do të vazhdoni të zhyteni thellë e më thellë në gjynahe dhe do të këmbëngulni në mosbindje ndaj Zotit. Humbja e shpresës do të bëjë që vazhdimisht të ngarkoheni me ato vepra që e zemërojnë të Gjithëmëshirshmin. Përpiquni të njihni Zotin tuaj me emrat dhe cilësitë e Tij, që tregojnë bujarinë dhe bamirësinë e Tij dhe dijeni se Ai i fal të gjitha gjynahet dhe gabimet, nëse pendoheni. ‘Të gjitha’ do të thotë ‘të gjitha pa përjashtim’, duke nisur nga shirku, vrasja, imoraliteti, fajdeja, padrejtësitë e çdo lloji dhe të gjitha llojet e gjynaheve, të mëdha dhe të vogla.
– “Ai është Falës i Madh dhe Mëshirëplotë.“ – Falja e madhe dhe mëshira janë atribute të përhershme të Allahut, që kurrë nuk mund të kuptohet dhe mendohet Ai pa ato. Këto dy atribute vazhdojnë të lënë gjurmët në gjithësi dhe e mbulojnë atë me mirësi. Dy duart e Tij janë shtrirë dhe japin mirësi natën dhe ditën. Në mënyrë të vazhdueshme dhe të njëpasnjëshme, Ai zbret mirësi për robërit, Ai e bën këtë haptazi, që mirësitë të shihen dhe të dihen nga njerëzit, por edhe fshehtazi, që ata as të mos e ndiejnë dhe kuptojnë diçka të tillë. Të japë dhe dhurojë është shumë më e dashur për Zotin, sesa të privojë dhe ndalojë.
Mëshira e Tij ia kalon zemërimit të Tij dhe është më e madhe se ai. Falja dhe mëshira e Zotit ka rrugë e shkaqe, nëpërmjet të cilave mund të fitohet. Nëse robi i shpërfill këto rrugë e mënyra dhe nuk i kryen ato, kjo do të thotë që robi ia ka mbyllur vetvetes dyert për arritjen e faljes dhe mëshirës së Allahut. Dijeni se më e madhja portë që mund të arrish tek falja dhe mëshira e Zotit, madje e vetmja mënyrë është kthimi e nënshtrimi para Tij me pendim të sinqertë, lutje e përgjërim, adhurime dhe përkushtime të sinqerta për Zotin. Nxitoni drejt kësaj rruge dhe kësaj porte të mrekullueshme për faljen dhe mëshirën e Allahut të Lartësuar. Për këtë arsye, Allahu i Madhëruar na urdhëroi për kthim tek Ai: