– ”Kur u këndohet ai (Kur’ani), ata thonë: “Ne e besojmë atë, sepse ai është e vërteta prej Zotit tonë.” – Kur u këndohet ai (Kur’ani), ata e dëgjojnë me vëmendje e nënshtrim dhe thonë: “Ne e besojmë atë, sepse ai është e vërteta prej Zotit tonë. Ne e besojmë, sepse ai përputhet me mesazhin që sollën të gjithë profetët dhe atë që sollën librat e shenjtë. Ai ka sjellë lajme të vërteta dhe urdhëresat e ndalesat e tij janë të drejta dhe të urta. Ato janë në përputhje me urtësinë e Zotit. Këtyre lloj njerëzish u pranohet dëshmia, sepse flasin e dëshmojnë atë që e dinë mirë. Ata janë njerëz që kanë libra dhe kanë dituri të thellë rreth shpalljeve të Zotit.
Ndërsa mohimi i të tjerëve është tërësisht i pavlefshëm, sepse bëhet i ndërtuar mbi dyshime e pasiguri. Ata ose janë injorantë që nuk dinë aspak rreth së vërtetës, ose bëjnë sikur nuk dinë dhe janë mohues kokëfortë e arrogantë. I Madhëruari thotë: “Thuaj: “Besoni në atë (Kur’anin) apo jo, atyre që u është dhënë dituri (nga librat e parë) para tij, kur u lexohet (Kur’ani) lëshohen me fytyrë përdhe, duke bërë sexhde.”. Ata thonë: “I lartësuar qoftë Zoti ynë! Premtimi i Zotit tonë është përmbushur. Ata lëshohen me fytyrë në tokë duke qarë dhe ai (Kur’ani) ua shton edhe më shumë përuljen.” [Isra 107 – 109]. Ndërsa këtu thotë:
– ”Ne edhe para tij kemi qenë muslimanë (të dorëzuar një Zoti të vetëm).” – Ne qëndruam në bazat e imanit, që na i dhuroi Zoti. Për këtë arsye ne e pranuam dhe e besuam Kur’anin. Ne i besuam të gjitha shpalljet e Zotit, si të parat, ashtu edhe të fundit. Ndërsa ai që mohon Kur’anin nuk ka iman as për shpalljet e para.