Select Page

Allahu është i vetmi që ka në dorë të japë mirësi dhe nga bujaria e Tij. Ai thotë:

– “Çdo të mirë që zotëroni, e keni prej Allahut.” – Të gjitha llojet e mirësive, ato të dukshme dhe ato të fshehura, të gjitha janë prej Allahut. Askush nga krijesat nuk ka pjesë në to.

– “Edhe kur ju godet ndonjë e keqe, ju vetëm tek Ai e ngrini zërin (me lutje). – Kur ju godasin varfëria, sëmundjet, vështirësitë e vuajtjet, ju vetëm Zotit i përgjëroheni e i luteni t’ju ndihmojë. Kështu veproni, sepse ju e dini mirë se vetëm Ai mund t’jua largojë vuajtjet dhe hallet. O njerëz, a nuk po mendoni?!

Allahu që është i vetmi që ju dhuron mirësitë, që ju i kërkoni, dhe ju largon fatkeqësitë, që ju i urreni, Ai duhet të jetë i vetmi që ju duhet ta adhuroni, duke e dashur me gjithë shpirt e duke e madhëruar me druajtje, nënshtrim e frikërespekt.

Vetëm Allahu e meriton adhurimin tuaj. Por shumë njerëz shkatërrojnë vetveten duke mos treguar mirënjohje për mirësitë e Zotit. Kur Zoti i shpëton ata nga vështirësitë dhe u dhuron lumturi e pasuri, ata i shoqërojnë Atij shok, duke i adhuruar dhe duke u shprehur mirënjohjen krijesave të Tij, të cilat janë të varfëra e nevojtare për veten e vet.