– “Vetëm e Tij është gjithçka në qiej e në tokë dhe vetëm Atij i takon adhurimi.” – Të Allahut janë çka në qiej dhe në tokë, prandaj edhe e gjithë feja, adhurimi, nënshtrimi, përunjësia në të gjitha gjendjet dhe kohët duhen t’i përkushtohen vetëm Atij.
Krijesat duhet të veshin petkun e adhurimit për Zotin dhe të jenë të sinqertë në praktikimin dhe përmbushjen e fesë vetëm për kënaqësinë e Tij. Pastaj vjen kjo pyetje, që çdokush duhet t’ia bëjë vetes:
– “A mos po i frikësoheni dikujt tjetër veç Allahut?” – Kujt i druheni? Banorëve të tokës apo të qiellit?! Ata nuk kanë në dorë as dëmin, as dobinë tuaj.