– “Ne u sollëm atyre një libër, të cilin ua shtjelluam hollësisht me dituri …” – Në këtë libër, Allahu i Lartësuar sqaroi çdo çështje për të cilën krijesat kanë nevojë të dinë. Kjo Shpallje është zbritur me diturinë absolute të Zotit. Allahu i Lartësuar është i gjithëditur për gjendjen dhe nevojat e robërve në çdo kohë, gjendje dhe vend. Ai e di mirë se çfarë është më e dobishme për ta dhe çfarë jo.
Po kështu, edhe qartësimi i Shpalljes nuk është bërë nga dikush që nuk i njeh çështjet apo që mund t’i fshihet ndonjë aspekt prej gjendjes së krijesave. Një i paditur nuk do të gjykonte kurrë me drejtësi dhe urtësi. Përkundrazi, shtjellimi i kësaj Shpalljeje është bërë nga Allahu i Lartësuar, dituria dhe mëshira e të Cilit ka përfshirë gjithçka. Allahu është i Gjithëdituri dhe i Gjithëmëshirshmi, prandaj e solli Shpalljen që të jetë:
– “… për të qenë udhërrëfyes e mëshirë për të gjithë ata që besojnë.” – Nëpërmjet saj, besimtarët do të dallojnë qartë rrugën e drejtë nga humbja. Ajo bën dallimin mes të vërtetës dhe të kotës, rrugës së drejtë dhe devijimit. Prandaj besimtarët i dallojnë lehtë të vërtetën dhe të kotën. Nëpërmjet diturisë dhe punës me sinqeritet për të kënaqur Allahun e Lartësuar, ata përfitojnë mëshirën që përmban Kur’ani.
Me fjalë të tjera, ata i mundësojnë vetes çdo mirësi që u sjell lumturinë në këtë botë dhe në tjetrën. Ata janë të sigurt nga humbja dhe dëshpërimi. Nga ana tjetër, të mjerët, ata që meritojnë ndëshkimin, nuk e besojnë këtë libër madhështor dhe nuk zbatojnë urdhëresat e tij. Kështu, atyre nuk u mbetet gjë tjetër, veçse të shikojnë realisht zbatimin e premtimit të Kur’anit, domethënë ndëshkimin e tyre. I Lartësuari thotë: