Allahu i Lartësuar na tregon për madhështinë e Kur’anit, vërtetësinë dhe të drejtën që gjendet në të. Ai na tregon se dijetarët që e njohin mirë, e njohin edhe madhështinë e këtij libri dhe e besojnë atë. Ata e pohojnë se ai është i vërtetë.
– ”Ata të cilëve Ne u dhamë Librin përpara këtij, besojnë edhe këtë (Kur’an).” – Është fjala për dijetarë që njohin Teuratin, Ungjillin dhe nuk e patën tjetërsuar dhe ndryshuar të vërtetën e Zotit. Kjo kategori njerëzish e beson edhe Kur’anin. Ata e besojnë Kur’anin dhe njeriun që e solli atë prej Zotit, pra, e besojnë Muhamedin si profetin e Zotit.