– ”Ata do të thonë: “Ah! Të mjerët ne! Po kush na ka ngritur prej shtretërve ku qemë shtrirë?” – Në disa hadithe transmetohet se të vdekurit në varreza do të kenë një lloj gjumi (mes fryrjes së parë të Bririt dhe fryrjes së dytë), përpara se t’i fryhet Bririt për ringjallje. Për këtë arsye, ata do të pyesin: “Kush na ngriti nga “merkadi”, pra, nga gjumi ynë në varr? Dhe atyre do t’u jepet kjo përgjigje:
– ”Kjo është ajo që ka premtuar i Gjithëmëshirshmi dhe e vërtetë qe fjala e të dërguarve.” – Kjo është ajo që ju premtoi Zoti se do të ndodhte, ashtu siç ju paralajmëruan profetët, dhe tashmë u shfaq vërtetësia e tyre dhe ju po e shihni me sytë e ballit. Mos mendo se përmendja e emrit Er-Rahman këtu është bërë pa qëllim, pasi ajo është bërë për të treguar se atë ditë krijesat do të shohin prej mëshirës së Zotit atë që as nuk u ka shkuar ndër mend dhe nuk e kanë llogaritur ndonjëherë se mund të ndodhë.
Edhe në ajete të tjera që flasin për Ditën e Gjykimit Allahu i Madhëruar përmend emrin e Tij Er-Rahman, si: “Atë ditë, sundimi i vërtetë i takon krejtësisht të Gjithëmëshirshmit.” [Furkan 26]. Ose: “Të gjitha zërat do të ulen para të Gjithëmëshirshmit dhe nuk do të dëgjohet asgjë përveçse pëshpërimë.” [Ta Ha 108].