– “A nuk e dinë ata se është Allahu Ai që i jep me mbushulli atij që do dhe ia kufizon rizkun atij, që do.“ – Ai ia shton pasurinë kujt të dëshirojë prej robërve të Vet, qoftë robi i mirë apo i keq. Nga ana tjetër, Zoti ia kufizon pasurinë atij që Ai do, i mirë apo i keq qoftë ai rob. Pasuria shpërndahet mes njerëzve, sipas urtësisë së Zotit dhe shtimi apo pakësimi i saj nuk përbën ndonjë prestigj dhe dallim. Ndërsa imanin e pastër dhe punët e mira e të sinqerta sipas tij, Allahu ua dhuron dhe ua mundëson veçse të zgjedhurve dhe të dalluarve, pra, krijesave më të mira.
– “Edhe në këtë ka argumente për ata që besojnë.“ – Në shtimin dhe pakësimin e pasurisë ka shumë argumente dhe mësime, që duhet vlerësuar dhe menduar thellë. Besimtarët e dinë mirë se shtimi dhe pakësimi i pasurisë bëhet sipas urtësisë dhe mëshirës së Allahut. Allahu e di mirë gjendjen e robërve dhe mund të ndodhë që Ai t’ua pakësojë pasurinë nga butësia dhe kujdesi për ta, që ata të udhëzohen dhe të mos prishen e shkatërrohen.
Ndoshta po t’ua shtojë atë, ata do ti’i kalojnë kufijtë në tokë dhe do të humbin shumë larg. Po Allahu kujdeset që të rregullojë, ruajë e forcojë besimin e tyre, gjë kjo e cila është çështja më e rëndësishme për ta. Kjo është vetë lumturia dhe gëzimi i shpirtit dhe zemrës së tyre. Ai e di që kjo është e vetmja mënyrë që ata të arrijnë çdo të mirë dhe të ruhen e shpëtojnë nga të këqijat. Allahu është më i ditur për gjithçka.