– ”Po a nuk u mjaftoi atyre që Ne të shpallëm ty një libër, që u këndohet atyre (besnikërisht)?” – A nuk u mjafton atyre për të gjykuar drejt për besnikërinë tënde dhe vërtetësinë e Shpalljes që t’u dha ty, fakti që ne u kemi zbritur një libër madhështor, që u lexohet atyre me besnikëri nga ana jote? Ky ajet është shumë i gjerë, me kuptime e kumte shumë të rëndësishme, edhe pse i shkurtër. Në të ka argumente madhështore dhe një mesazh të mrekullueshëm. Sikurse e thamë më sipër, thjesht fakti që Profeti (a.s) ishte umij (nuk dinte shkrim e lexim) dhe solli një libër të tillë, kjo do të ishte shenja më e madhe që tregon për sinqeritetin e tij. Pastaj, ata u treguan të pafuqishëm për t’iu kundërpërgjigjur sfidës për të sjellë një Kur’an ose qoftë një sure si ai.
Pastaj le të mendojnë se si Profeti a.s. e shfaqi haptazi këtë Kur’an ndër njerëz, që ta dëgjonin të gjithë, edhe pse mbështetësit e tij ishin të pakët. Profeti (a.s) kurrë nuk u thye dhe as nuk u spraps, me gjithë armiqtë e shumtë që e luftonin. Ai e ngriti zërin duke ua lexuar këtë Kur’an haptazi, duke deklaruar se “ky është Libri dhe Fjala e Zotit tim”. Ai i sfidoi të gjithë duke thënë: A ka ndonjë që ka mundësi që ta kundërshtojë e të sjellë një fjalë të ngjashme me të, apo ta hedhë poshtë? Pastaj mendo pak për historitë e shumta të popujve të shkuar dhe të fshehtat e shumta të së shkuarës dhe së ardhmes, që ky Kur’an përmend dhe që janë tërësisht në përputhje me realitetin.
Gjithashtu, mendo për saktësimin që ai u bën librave dhe shpalljeve të shkuara, duke pohuar atë që është e saktë e ka mbetur e tillë ndër ta dhe duke qartësuar atë që është ndryshuar dhe tjetërsuar nga duart e njerëzve. Shiko udhëzimin e drejtë që ai ofron në çdo fushë e drejtim! Kur ai urdhëron për diçka, është e pamundur që mendja të thotë “Ah, sikur të mos urdhëronte për këtë!” Edhe kur ndalon nga diçka, është e pamundur që mendja e shëndoshë dhe natyra e pastër dhe e papërlyer të thotë: “Ah, sikur të mos kishte ndaluar nga kjo!” Çdo ligj e dispozitë e vendosur nga Ai është me drejtësi e barazi, është në përputhje të plotë me urtësinë, që arrijnë ta logjikojnë dhe pranojnë mendjet e pastra, të cilat shohin dhe gjykojnë drejt.
Mendja e shëndetshme dhe natyra e pastër gjykon me bindje se ligjet dhe udhëzimet e ofruara nga Kur’ani janë të vetme ligje e udhëzime që rregullojnë çështjet e krijesave në çdo vend e kohë. Çështjet e tyre rregullohen veçse nëpërmjet tyre. Të gjitha këto janë mëse të mjaftueshme për atë që dëshiron dhe synon të gjejë, të pranojë e të besojë të vërtetën, si dhe do sinqerisht për ta zbuluar dhe kuptuar atë. Allahu mos e kënaqtë kurrë atë që nuk i mjafton Kur’ani dhe mos e shëroftë atë që nuk e shëron Kur’ani, dalluesi i së vërtetës nga e kota! Ai që udhëzohet me këtë Kur’an, ka për t’i mjaftuar ai, sepse ai është më i mirë se çdo gjë tjetër.
– ”Nuk ka dyshim se kjo është mëshirë e këshillë për njerëzit që besojnë.” – Kjo do të ndodhë për shkak se në të do të gjejnë dituri e mirësi të mëdha, pastrim për zemrat dhe shpirtrat, pastrim e rregullim të besimit, plotësim të moralit të lartë dhe frymëzim të madh nga vetë Zoti, që do t’u japë dritë të kuptojnë shumë të fshehta dhe udhëzime, që të tjerët nuk arrijnë t’i kuptojnë.