“Paralajmëroji nëpërmjet tij (Kur’anit) ata që i frikësohen llogarisë para Zotit të tyre, me qëllim që të ruhen,…” – Kur’ani është këshillë dhe paralajmërim për të gjithë njerëzit, por përfituesit e vërtetë të këshillave të tij janë ata që i druhen ditës kur do të ringjallen te Zoti i tyre. Ata janë të bindur dhe e kujtojnë shpesh faktin se do të vijë dita kur do të largohen nga kjo dynja, për të nisur rrugën e përjetësisë.
Për këtë arsye, ata përpiqen vazhdimisht të arrijnë gjithçka që u sjell dobi dhe të largohen nga gjithçka që i dëmton. Ata janë të bindur se, nëse nuk i dëgjojnë porositë e Zotit, nuk do të gjejnë mbrojtës apo ndërmjetësues, që mund t’i shpëtojë nga zemërimi dhe ndëshkimi i të Drejtit. I Madhëruari thotë
– “…sepse, veç Tij, ata nuk do të kenë asnjë mbrojtës apo ndërmjetës. – Veç Allahut, nuk ka kush që të marrë përsipër çështjet e tyre, që t’i ndihmojë të arrijnë ndonjë të mirë apo që t’i shpëtojë nga të këqijat. Për ta nuk ka as ndërmjetësues, që mund të ndërhyjë te Zoti, sepse të gjitha çështjet janë vetëm në dorën e Tij. Askush nga krijesat nuk zotëron ndonjë mundësi për të ndihmuar apo për të shpëtuar një krijesë tjetër.
Kështu, Allahu i Lartësuar e urdhëron Profetin e Tij që t’i këshillojë njerëzinë me fjalët e Kur’anit, për një qëllim të rëndësishëm: “me qëllim që të ruhen”. Ndoshta, duke dëgjuar të vërtetat e padiskutueshme për takimin me Zotin dhe llogarinë para Tij, ata do të frikësohen dhe do të nënshtrohen, që të punojnë e të plotësojnë detyrimet, si dhe të largohen nga ndalesat e Tij. Këshillimi me anë të Kur’anit është, sigurisht, një nga mënyrat më të mira dhe të efektshme.