– “Ne patjetër që do t’i ndihmojmë të dërguarit Tanë dhe ata që besuan, në jetën e kësaj bote dhe në ditën kur të paraqiten dëshmitë.” – Pasi përmendi gjendjen e trishtueshme të Faraonit e pasuesve të tij në dynja, në berzah dhe në Ditën e Kijametit, Allahu i Madhëruar përshkruan gjendjen e mjerueshme dhe të tmerrshme të banorëve të Zjarrit, të cilët refuzuan t’i pranojnë, besojnë dhe të pasojnë profetët e Zotit.
Ata i luftuan profetët, pasuesit e tyre dhe mesazhin që ata përcollën prej Allahut. Allahu i Madhëruar thotë se do t’i ndihmojë profetët dhe besimtarët në përballjen me mohuesit, duke i pajisur me argumente e shenja të qarta, si edhe me fitore të sigurt. Ndërsa Ditën e Gjykimit, i Plotpushtetshmi dhe i Drejti do të gjykojë me drejtësi, duke u dhënë profetëve dhe besimtarëve shpërblime të mëdha dhe duke i ndëshkuar mohuesit dhe luftuesit e të vërtetës me formën dhe masën më të rëndë.