– “Si qe puna juaj, kur deshët të tundonit Jusufin?” – Ai u kërkoi shpjegim të qartë dhe të hollësishëm për Jusufin. A ishte ai vërtet fajtor për ato çfarë flitej dhe për të cilat ishte burgosur, apo ishte i pastër? Atëherë ato, duke dëshmuar për pastërtinë dhe pafajsinë e Jusufit, thanë:
– “Zoti na ruajt! Nuk dimë që ai të ketë bërë ndonjë të keqe.” – Nuk njohim ndonjë të keqe që mund ta ketë bërë ai, as të vogël dhe as të madhe. Me këtë deklaratë u rrëzua tërësisht akuza kundër Jusufit dhe mbeti vetëm dëshmia e gruas së Ministrit. Allahu i Lartësuar thotë:
– “Gruaja e Ministrit tha: “Tani do të dalë në shesh e vërteta.”” – Tani doli në pah e vërteta dhe u rrëzuan të gjitha akuzat që rëndonin mbi Jusufin. Ai u dënua padrejtësisht me burg, për shkak të një faji që kurrë nuk e pati kryer. Duke nxjerrë në pah më shumë pastërtinë e Jusufit, ajo tha:
– “Isha unë ajo që ngulmova ta tundoj atë, kundër dëshirës së tij. Ai është vërtet njeri i drejtë.” – Ai është i dëlirë dhe i vërtetë, si në fjalë, ashtu edhe në të gjitha veprat e tij. Pastaj ajo tha: