Select Page

– “Ai (Kur’ani) është e vërteta e sigurt.” – Kur’ani është ĥaķul jeķîn, grada më e lartë e sigurisë që mund të arrihet rreth diçkaje. Jeķîn është siguria e plotë rreth diçkaje, siguri e cila është e padiskutueshme, e qëndrueshme, që nuk mund të hidhet poshtë dhe nuk mund të vihet në dyshim. Jeķîn-i është në tri nivele. 192 Niveli pasardhës është më i lartë se ai paraardhës:

1. Ilmul jeķîn (siguri prej dijes), që përfitohet nga përcjellja me saktësi e dijes ose informacionit.

2. Ajnul jeķîn (siguri prej vështrimit me sy), e cila përfitohet nëpërmjet shqisës së të parit (ose shqisave të tjera).

3. Ĥaķul jeķîn (siguri totalisht e vërtetë) ose (siguri e përjetuar), e cila është dija e përfituar nga shijimi dhe përjetimi i drejtpërdrejtë i së vërtetës me gjithë dimensionet e përjetimit.  Atëherë, Kur’ani është në gradën më të lartë të sigurisë së dijes, në gradën e ĥaķul jeķîn-it, sepse ata që dinë ta kuptojnë dhe jetojnë me diturinë e tij, me të vërtetat e imanit që thuhen në të, me faktet dhe dëshmitë rreth jetës dhe përjetësisë, ata arrijnë ĥaķul jeķîn-in.193

192 Imam ibnul kaj-jimi duke folur për jakin-in sigurinë dhe gradat e saj, thotë: “Tre gradat e jakinit janë shpjeguar nëpërmjet një shembulli të thjeshtë: Dikush të cilit i beson dhe nuk ke asnjë dyshim në lajmin që të jep, së pari të njofton rreth mjaltit, pastaj ta tregon atë që ta shohësh dhe në fund të jep që ta provosh atë. E para është ilmul jakin, e dyta është ajnul jakin dhe e treta është hakkul jakin.

Kështu dituria jonë e sigurt që marim prej shpalljes së Zotit (Kuran e synet) rreth xhennetit dhe zjarrit p.sh., na mundëson neve  “ilmul jakin” sigurinë prej dijes. Kur xhenneti t’u afrohet të devotshmëve dhe zjarri të shfaqet për të humburit atëherë krijesat do të arrijnë “ajnul jakin” sigurinë prej vështrimit me shqisa. Ndërsa kur banorët e xhennetit të hyjnë në xhennet dhe banorët e zjarrit të hyjnë në zjarr atëherë do të përjetojnë “hakkul jakin” sigurinë totalisht të plotë pra sigurinë e përjetimit. Shih “Medarixhus-salikin” 2 / 445.

193 Imam ibnul kaj-jimi duke folur për hakul  jakin-in sigurinë e përjetimit thotë: “Mësoje se kjo gradë nuk arrihet në këtë dynja veçse nga Profetët e Zotit. Kështu Profeti ynë Muhammedi a.s. e pa me sy xhennetin dhe zjarrin, Musa a.s. dëgjoi Zotin realisht që i foli drejt përdrejt pa ndërmjetës. Po, është e vërtetë që edhe besimtarët ndodh që të përjetojnë dhe të arrijnë gradën e “hak-kul jakinit“ sigurisë totalisht të vërtetë kur bëhet fjalë për përjetimin e ëmbëlsisë së imanit dhe ndjenjave të fuqishme që prodhon imani i vërtetë dhe i qartë.

Ndërsa kur bëhet fjalë për çështjet e ahiretit si xhenneti zjarri, shikimi i Zotit realisht me sytë e ballit dhe të zemrës dëgjimi i fjalës së tij realisht dhe pa ndërmjetës prej Tij, të tilla çështje besimtari do ti përjetojë veçse në jetën tjetër. Ndërsa në këtë jetë atij i takon ti besojë me iman të plotë që arrin në gradën e ilmil jakin.” Shih “Medarixhus-salikin” 2 / 445. Me sa duket shejh Sadi ka për qëllim këtë nivel të “hakkul jakinit”, pra  gradën e “hak-kul jakinit“ sigurisë totalisht të vërtetë që bën fjalë për përjetimin e ëmbëlsisë së imanit dhe ndjenjave të fuqishme që prodhon imani i vërtetë dhe i qartë. Dhe pa dyshim ky Kur’an është burrimi i vërtetë i kësaj sigurie dhe prodhuesi i këtyre ndjenjave dhe përjetimeve të mrekullueshme.