– ”E nëse ata nuk të përgjigjen, atëherë dije se ata ndjekin vetëm epshet e veta.” – Duke qenë se nuk mund të sjellin ndonjë libër më të plotë në udhëzimin dhe diturinë që ofron atëherë: “…dije se ata ndjekin vetëm epshet e veta.” Pra, mospasimi yt nuk është për shkak se ata po ecin sipas ndonjë rruge të vërtetë që ata njohin, por është thjesht pasim i epsheve e dëshirave të tyre. Por:
– ”… kush është më i humbur se ai që ndjek epshin e vet, pa asnjë argument prej Allahut?!” – Ata janë njerëzit më të humbur, të cilëve edhe pse iu paraqitet e vërteta, udhëzimi i qartë dhe i drejtë, që të çon tek Zoti dhe në Xhenetet e bujarisë së Tij, ata nuk ia hedhin sytë dhe nuk përkushtohen të jetojnë sipas saj. Këta të mjerë, kur epshet dhe dëshirat e tyre i ftojnë për t’i hyrë rrugëve të shkatërrimit dhe dëshpërimit, ata iu përgjigjen menjëherë, duke braktisur udhëzimin e Zotit dhe ftesën e Tij bujare. A di ndonjë që të jetë më i humbur se ata që kanë të tilla cilësi? Sigurisht, ajo që i çoi në atë përfundim të hidhur ishte padrejtësia, armiqësia ndaj së vërtetës dhe urrejtja ndaj saj. Ata nuk e duan të vërtetën. Të gjitha këto bëjnë që ata të mbeten në humbje dhe të mos udhëzohen:
– ”S’ka dyshim se Allahu nuk i udhëzon njerëzit keqbërës.” – Ata që kanë si cilësi të përhershme padrejtësinë, inatin e kokëfortësinë. Atyre u vjen udhëzimi dhe ata e refuzojnë. Ata i josh epshi dhe dëshirat e shfrenuara. Ata ia mbyllin vetes rrugën e udhëzimit dhe portat e së mirës. Vëreni me kujdes! Allahu i Lartësuar thotë: “E nëse ata nuk të përgjigjen, atëherë dije se ata ndjekin vetëm epshet e veta.” Kjo tregon se ata që nuk pranojnë fjalën e Profetit, në mënyrë të pashmangshme kanë për të ndjekur një rrugë tjetër, që bie ndesh me fjalën e tij. Këta lloj njerëzish nuk ndjekin udhëzimin, por dëshirat e veta.