– ”Ata thonë: “Përse nuk i zbret atij ndonjë shenjë (mrekulli) nga Zoti i tij?” – Edhe këta mohues të padrejtë, që mohuan profetët dhe shpalljet që ata sollën prej Zotit, kërkojnë shenja dhe mrekulli, me mendjet e qëllimet e tyre të prishura.
Kjo i ngjan fjalës së Allahut, kur tregon për ata që thonë: “Ne nuk do të të besojmë ty, derisa të na nxjerrësh burime prej tokës; ose të kesh kopshte me hurma e me rrush, e të bësh që mes e tyre të rrjedhin vazhdimisht lumenj; ose, ashtu sikurse mëton ti (se do të na dënojë Zoti), le të bjerë mbi ne qielli copa-copa; ose derisa të na sjellësh Allahun dhe melekët pranë nesh (t’i shohim haptazi); ose të kesh një shtëpi prej ari, ose të ngjitesh lart në qiell. Madje, edhe sikur të ngjitesh lart në qiell, ne nuk do të të besojmë, derisa të na sjellësh një libër që ta lexojmë.” Thuaj: “I madhëruar qoftë Allahu!” A mos, vallë, jam gjë tjetër unë, përveçse një njeri profet?!” [Isra 90 – 93].
Kështu, përcaktimi i shenjave dhe mrekullive nuk është në dorën e tyre dhe as të profetëve. Kjo kërkesë ishte ndërhyrje në kompetencat e Zotit. Duke qenë e tillë, atëherë kërkesa e tyre ishte e kotë dhe një shmangie nga e vërteta:
– ”Thuaj: “Çështja e shenjave (mrekullive) është vetëm në dorë të Allahut …” – Nëse dëshiron, Ai i zbret ato e nëse nuk dëshiron, nuk i zbret.
– ”… dhe unë nuk jam tjetër, përveçse paralajmërues i qartë.” – Unë nuk pretendoj të jem sipër kësaj grade. Nëse unë kam për qëllim dhe detyrë që të dalë në pah e vërteta dhe të dallohet nga e kota, atëherë kjo është realizuar me dërgimin tim dhe Shpalljen, që Zoti solli nëpërmjet meje. Me fjalë të tjera, nëse ajo që synohet është qartësimi i të vërtetës nga e kota, me çfarëdo mënyre që të bëhet ajo, atëherë kërkimi i shenjave e mrekullive të caktuara është një padrejtësi e dukshme dhe shprehje e mendjemadhësisë para Zotit dhe refuzim i padrejtë i së vërtetës.
Por edhe sikur të vendoste Zoti që t’i zbriste ato shenja që ju i kërkoni dhe propozoni, ky nuk do të ishte një iman i vërtetë dhe i pranueshëm, që në momentin që ju e kushtëzoni besimin tuaj me to. Ky nuk është iman i vërtetë dhe i saktë, por është thjesht ndjekje e epshit dhe dëshirës tuaj, pra, jo sepse ai është i vërtetë dhe sepse e meriton. Kështu, edhe sikur të supozohej që ju do të besonit pas zbritjes së shenjave, ai do të ishte një iman jo korrekt dhe solid, sepse nuk do të ishte i ndërtuar mbi njohjen dhe pranimin me bindje të së vërtetës, por për shkak të shenjave të dukshme. Duke qenë se qëllimi me dërgimin e profetëve është qartësimi i së vërtetës, Allahu i Madhëruar vijon që të na tregojë rrugën e saktë të arritjes së këtij qëllimi të madh. Ai thotë: