– “Ata do t’u thonë: “A nuk ju erdhën të dërguarit tuaj me argumente të qarta?”” – A nuk erdhën te ju profetët e Zotit me argumente të qarta, nëpërmjet të cilëve mund të dallohej qartë e vërteta nga e kota, fjalët e veprat që të afrojnë pranë Zotit nga ato që të largojnë prej Tij?
– “Ata përgjigjen: “Po!”.” – Kuptimi: Pa dyshim që ata sollën argumente shumë të qarta dhe ne nuk kemi asnjë justifikim para Allahut. Argumentet e Allahut nuk mund të kundërshtoheshin, por ne u treguam të padrejtë, duke i refuzuar ato.
– “Atëherë, (do t’u thonë:) lutuni vetë tani!”” – Rojet e Xhehenemit, duke u distancuar nga banorët e Zjarrit dhe duke u shprehur atyre refuzimin për t’u bërë ndërmjetësues për zullumqarët, u thonë: “Lutuni vetë për ndihmë e shpëtim!” Por a do t’ju sjellë kjo ndonjë dobi? Thotë Allahu i Madhëruar, i Drejtë e i Urtë:
– “Por lutja e jobesimtarëve është e kotë.” – Pra, lutja e tyre është e kotë, e pavlefshme dhe e padobishme. Ajo është sikur të mos ekzistonte fare, sepse mohimi i Zotit i asgjëson dhe fshin të gjitha veprat e robit dhe është pengesë e pakapërcyeshme për pranimin e lutjeve.