Select Page

Kur erdhi koha për shkatërrimin e parë, Allahu thotë: “Ne dërguam kundër jush disa nga robërit Tanë…”. Kjo do të thotë që Ai vendosi si ndëshkim për ta që të nxirrte disa njerëz, që ishin “luftëtarë të fuqishëm e të ashpër, të cilët e shkelën çdo cep të vendit tuaj.” Ata ishin luftëtarë të guximshëm, të sprovuar e të armatosur rëndë, të cilët ju mposhtën e shpartalluan, ju robëruan fëmijët e morën pasuritë tuaja. Ata hynë në tempullin tuaj dhe e shkatërruan atë. Kështu ndodhi, sepse e kishit merituar.

Dijetarët e tefsirit kanë mendime të ndryshme në lidhje me këtë ushtri shkatërimtare, por të gjithë janë unanimë se ata ishin mohues, pra, jobesimtarë. Disa thonë se ishin nga Iraku, të tjerë thonë se ishin nga Gadishulli Arabik. Allahu i Lartësuar bëri që ata t’i shpartallonin bijtë e Izraelit, të cilët e kishin tepruar me poshtërsitë dhe mosbindjen ndaj Zotit. Ata kishin braktisur një pjesë të madhe të Ligjit të Zotit dhe i kishin kaluar kufijtë.