– “Ata nuk qenë urdhëruar për gjë tjetër, përveçse që të adhuronin Allahun me një adhurim të sinqertë e me përkushtim ndaj Tij duke qenë besimdrejtë (hunefae), si dhe të falnin namazin dhe të jepnin zekatin. Kjo është feja e drejtë.” – Urdhri i parë dhe i përhershëm është: adhurim i sinqertë dhe me përkushtim veçse për Allahun e Madhëruar. Të gjitha adhurimet t’i përkushtohen vetëm Allahut dhe askujt tjetër, në shenjë dashurie e përunjësie, me frikërespekt dhe duke shpresuar kënaqësinë dhe shpërblimin e Tij bujar në të dyja jetët. Urdhri i dytë është për të qenë hunefa, pra, besimtarë të vërtetë në njësimin e Zotit, të distancuar nga çdo besim që largohet nga teuhidi dhe praktikon idhujtarinë. Urdhri i tretë është për namazin dhe zekatin. Edhe pse këto dy adhurime i përfshin edhe urdhri i parë, ato janë përmendur veçmas, për shkak të rëndësisë dhe vlerës së tyre të lartë dhe sepse mbi këto dy adhurime mbështeten të gjitha adhurimet e tjera të Islamit. Atëherë, kjo është feja e drejtë, kjo është udha e sigurt, që të shpie në Xhenetin e mirësive të përjetëshme. Çdo rrugë tjetër veç saj të çon në humbje, të çon në zjarrin e Xhehenemit. Më pas, Allahu i Madhëruar tregon për ndëshkimin e mohuesve dhe të pabindurve, të cilët e shpërfillin të vërtetën, edhe pas qartësimit të saj: