Allahu i Madhëruar na njofton se Ai:
– “Ai krijoi qiejt dhe Tokën me urtësi.“ – I krijoi me urtësi dhe për një qëllim të madh e mirësi të madhe. Ai i krijoi ato që t’i urdhërojë robërit dhe t’i shpërblejë e ndëshkojë, për përmbushje ose jo të ligjeve të Tij.
– “Ai bën që nata ta mbulojë (mbështjellë) ditën dhe që dita ta mbulojë (mbështjellë) natën; …“ – Allahu e ndërfut njërën në tjetrën dhe e bën që ato të zëvendësojnë njëra tjetrën. Ato nuk bashkohen të dyja bashkë. Kur vjen njëra, largohet tjetra dhe ia lë vendin asaj.
– “Ai i ka nënshtruar Diellin e Hënën (sipas ligjit të Tij), …“ – Allahu i nënshtroi që të lëvizin me rregull dhe sistem.
– “… që lëvizin sipas një afati të caktuar.“ – Secili nga këta trupa lëviz me urdhrin dhe rregullin e Zotit, deri në afatin e caktuar nga Ai, kur kjo botë të përfundojë dhe të shkatërrohet. Atë ditë, Allahu do ta shkatërrojë çdo rregull të saj, do të shkatërrojë Diellin e Hënën dhe do t’i ringjallë krijesat me krijimin e ri, që të përfundojnë në vendin e përjetshëm, ose në Xhenet ose në Zjarr.
– “Ai është Ngadhënjimtari …“ – Allahu është El Aziz, domethënë, Krenari, Ngadhënjimtari, i Plotfuqishmi, që kurrë nuk mposhtet. Ai është Mëshiruesi i gjithçkaje. Për atë asgjë nuk është e pamundur. Me fuqinë e Tij, Allahu krijoi gjithë këto krijesa madhështore dhe i nënshtroi të lëvizin dhe funksionojnë ashtu siç Ai dëshiron. Allahu është Falësi i madh. Ai fal dhe fal pandërprerë gjynahet e robërve të Tij besimtarë, që gjithmonë pendohen dhe kthehen tek Ai.
– “Falësi i Madh.“ – Ai është Falës edhe për ata që i bëjnë shirk, që, pasi i shikojnë argumentet e Tij, pendohen dhe kthehen tek Ai të nënshtruar.