Select Page

– “Prej tyre ka edhe të tillë që thonë: “Më jep leje e mos më sprovo!”” – Ka munafikë që të kërkojnë leje për të mos marrë pjesë në luftë, me një justifikim të çuditshëm duke thënë: “Me jep leje e mos më sprovo! Domethënë, më jep leje mua, që të mos marr pjesë në luftë, sepse atje do të përballem me gratë e Beni Asfer, dhe unë nuk i përballoj dot ato.” Kështu tha El Xhed Ibn Kajsi (Allahu e poshtëroftë dhe e shëmtoftë!).

Duke qenë hipokrit, ai pretendoi se kishte qëllim të mirë në vetvete. Nëse marr pjesë në këtë luftë,  – pretendonte ai, – unë do të përballem me një sprovë të vështirë, prandaj unë dua vetëm që t’i ruhem të keqes. Por Allahu i Madhëruar i demaskon këta lloj njerëzish, duke thënë:

– “Por ata tashmë kanë rënë në sprovë” – Edhe nëse e marrim si të mirëqenë pretendimin e tyre, ai është i gabuar, sepse shmangia nga lufta është e keqe më e madhe. E ku ka ligësi më të madhe sesa mosbindja ndaj Allahut dhe ndaj të Dërguarit të Tij?! Paturpësia për të rënë në këtë gjynah të madh është vepër shumë e rëndë. Nga ana tjetër, lufta me vështirësitë e saj nuk mund të krahasohet me shpërfilljen e kushtrimit të Zotit dhe të Profetit dhe dëmet që ai shkakton.

Aq më tepër që ‘sprova’ e supozuar prej tyre nuk ishte e sigurt se do të ndodhte. Por edhe sikur të ishte e sigurt, ajo duhej përballuar ashtu si çdo sprovë tjetër që i shoqëron ndonjëherë adhurimet ndaj Zotit. Prandaj i Madhëruari i kërcënon ata, duke thënë:

– “dhe Xhehenemi do t’i rrethojë mohuesit (në të gjitha anët).” – Ata nuk mund t’i shpëtojnë Xhehenemit dhe askush nuk mund t’i çlirojë e mbrojë ata prej tij.