– ”Një ditë Toka do të shndërrohet në tjetër Tokë, e po kështu edhe qiejt …” – Atë ditë, qiejt dhe toka do të ndryshohen. Këtu bëhet fjalë për ndryshim cilësor të tyre. Ditën e Gjykimit, toka do të sheshohet dhe hapet, ashtu siç bëhet me lëkurën e tharë, duke u zhdukur malet dhe çdo lloj relievi. Ajo do të kthehet, ashtu sikurse thotë Zoti: “Të pyesin ty për malet. Thuaj: “Zoti im do t’i shkulë ato dhe do t’i shpërndajë si pluhur.”. Dhe vendin e tyre ta bëjë rrafsh e pa kurfarë bimësie. As ultësira e as lartësira nuk do të shohësh në vendin e tyre.” [Ta Ha 105 – 107].
Ndërsa qielli do të bëhet, siç thotë Allahu i Lartësuar në një ajet tjetër: “Ditën, kur qielli të bëhet si plumb i shkrirë…” [Mearixh 8]. Kështu do të ndodhë, sepse atë ditë gjendja është e vështirë. Pastaj Allahu i Lartësuar do t’i palosë qiejt me të djathtën e Tij, sikurse thotë: “Atë Ditë, Ne e palosim qiellin, siç palosen fletët e një libri. Ashtu siç e filluam krijimin, ashtu e rikthejmë atë. Ky është premtimi Ynë dhe Ne do ta përmbushim atë.” [Enbija 104].
– ”… dhe të gjithë do të dalin para Allahut, të Vetmit Ngadhënjimtarit.” – Krijesat do të dalin nga varret e tyre dhe do të grumbullohen të gjithë në “Mahsher“, në vendin e tubimit. Askush nuk mund t’i fshihet Allahut të Madhëruar, as njerëzit dhe as veprat e tyre. Të gjithë do të zbulohen përpara Allahut, që është i Vetëm dhe Ngadhënjimtar mbi gjithçka.
Allahu është i Vetëm dhe Absolut në madhështinë e Tij, në emrat dhe cilësitë e Tij, në veprat e Tij madhështore dhe në faktin se Ai është Sunduesi dhe Nënshtruesi i të gjitha botëve. Gjithçka është nën sundimin dhe mbretërimin e Allahut; Ai rregullon dhe administron të gjitha çështjet. Gjithçka lëviz apo qëndron në prehje veçse me lejen e Zotit.