– “Edhe ty (o Muhamed) Ne ta zbritëm Librin me të vërtetën e sigurt.” – Kuptimi: Edhe ty, o Muhamed, të shpallëm Kur’ânin, Librin më të vyer, më të rëndësishëm, më të mrekullueshëm dhe më të ruajtur. Allahu i Madhëruar e përshkruan Kur’ânin si një libër të shpallur “me të vërtetën e sigurt”. Pra, Kur’âni u shpall me vërtetësi, besnikëri e saktësi. Ai është i vërtetë në kumtet e tij dhe ka drejtësi në urdhëresat e tij.
– “Ai është vërtetues i librave të mëparshëm dhe garantues i tyre.” – Kur’âni dëshmon për vërtetësinë e shpalljeve të mëhershme, që Zoti u dhuroi profetëve. Kur’âni është në të njëjtën linjë me shpalljet e mëparshme hyjnore dhe i konfirmon ato. Ngjarjet e përmendura në të me ngjarjet e përmendura në librat e mëparshëm janë të njëjta. Të njëjtë janë edhe ligjet bazë të tij dhe të shpalljeve para tij. Madje, Kur’âni është dëshmia më e sigurt për saktësinë e të dhënave në shpalljet e mëparshme.
Kur’âni është, gjithashtu: “…garantues i tyre…”. Pra, ai jo vetëm që përmban dispozita madhore dhe rrëfime, që gjendeshin edhe në librat e tjerë, por ai është i kompletuar me dituri hyjnore, ku shtjellohen tërësisht detyrimet ndaj Zotit dhe mënyrat për të edukuar njerëzit me virtyte të larta. Ai është një libër i cili nuk ka lënë ndonjë urdhëresë të mëparshme pa e treguar, pa e kompletuar, si dhe pa treguar të gjitha rrugët e mundshme për ta zbatuar atë.
Ai është libri ku rrëfehen ngjarjet e të parëve dhe të fundmëve, ku gjendet gjykimi i drejtë dhe vetë urtësia. Megjithatë, në Kur’ân ka edhe ligje që nuk janë përmendur në librat e shkuar. Gjithashtu, çdo e dhënë dhe gjykim në ata libra që Kur’âni i gjykon dhe i përcakton si të drejta dhe të pranueshme, ato janë të tilla. Ndërsa ato që ai i gjykon si të papranueshme, ato janë të papranueshme. Kur’âni konsiderohet si verifikues i tjetërsimeve dhe ndryshimeve të bëra nga njerëzit në shpalljet e shkuara.
– “Gjyko mes tyre me atë që ka shpallur Allahu dhe mos paso dëshirat e tyre të kota e të largohesh nga e vërteta që të erdhi!” – Gjyko mes tyre me librin që Zoti të shpalli ty dhe mos paso orekset e tyre të prishura, që kundërshtojnë të vërtetën e shpallur nga Zoti. Kurrë mos prano të shkëmbesh të vërtetën me të kotën dhe të braktisësh mirësinë e dhuruar nga Zoti yt!
– “Për secilin prej jush, Ne caktuam Ligj e program.” – Për çdo popull, Allahu i Lartësuar përcaktoi rrugë dhe ligje. Në fakt, në themel, të gjithë profetët kanë patur një ligj të përbashkët, por ka patur edhe disa ligje të veçanta, në varësi të popujve të tyre. Kryesisht, këto ligje të veçanta janë të tilla që e pranojnë ndryshimin në varësi të kohës, vendit dhe gjendjes së shoqërive, por gjithmonë kanë qenë urtësi dhe udhëzim i drejtë për ta. Megjithatë, bazat themelore të besimit dhe të ligjeve kanë qenë të pandryshueshme dhe të përbashkëta për të gjithë popujt dhe profetët e Zotit.
– “Sikur të kishte dashur Allahu, do t’ju kishte bërë një popull të vetëm (në fe), por deshi t’ju sprovonte me atë që ju ka dhënë…” – Nëse do të dëshironte Allahu i Madhëruar, Ai do t’i bënte të gjithë popujt t’i nënshtroheshin një Sheriati të vetëm, pa asnjë ndryshim mes të parëve dhe të fundit. Por Allahu deshi që t’i sprovonte njerëzit dhe të vështronte se si do të vepronin ata. Allahu i Madhëruar ka caktuar ligje që u janë përshtatur popujve përkatës dhe me qëllim që ata të garonin me njëri-tjetrin, se kush e kush të afrohej më shumë tek Ai, prandaj i Lartësuari thotë:
– “Prandaj garoni për punë të mira!” – Garoni dhe përsosini veprat tuaja të mira. Punët e mira përfshijnë veprat e detyruara39 dhe ato të pëlqyeshme40 , qofshin ato në drejtim të përgjegjësive ndaj Zotit, qofshin në lidhje me përgjegjësitë ndaj njerëzve e krijesave. Njeriu duhet të jetë garues dhe ambicioz veçse në dy gjëra:
1. në shpejtësinë e kryerjes së veprave të mira, duke shfrytëzuar menjëherë rastin që i jepet për to, dhe:
2. në përpjekjet për t’i kryer veprat e mira në formën dhe mënyrën më të plotë e të saktë. Kjo tregon se është detyrë të shpejtohet për ta falur namazin në fillimin e kohës, e po kështu çdo adhurim tjetër. Gjithashtu, njeriu nuk duhet të mjaftohet duke i kryer adhurimet aq sa të heqë detyrimin nga shpina, pra vetëm veprat e domosdoshme, por duhet të përpiqet që të kryejë edhe detajet e pëlqyeshme, që adhurimi të jetë i plotë. Në këtë mënyrë, realizohet garimi në plotësimin e urdhrave të Zotit.
– “Tek Allahu është kthimi i ju të gjithëve dhe Ai do t’jua tregojë të vërtetën e çështjeve për të cilat ju kishit kundërshtime.” – Popujt e shkuar dhe ata që do të vijnë deri në Ditën e Fundit, Allahu i Gjithëfuqishëm do t’i tubojë të gjithë së bashku. Atë ditë do të ndahet e vërteta nga e kota, e drejta nga e gabuara, dhe Allahu i Madhërishëm do t’u tregojë krijesave për gjithçka që ata kishin kundërshtime, për sa i përket zbatimit të ligjeve dhe gjykimit me to. Ata që kanë përqafuar të vërtetën dhe kanë bërë vepra të mira e të sinqerta, Allahu i Madhëruar do t’i shpërblejë me bujarinë e Tij. Ndërsa pasuesit e epsheve dhe gjynahqarët, Allahu do t’i ndëshkojë sipas drejtësisë dhe urtësisë së Tij.
39 Vepra të detyruara janë ato punë e fjalë të cilat sheriati ka urdhëruar që të kryhen me urdhër kategorik. Ai që i kryen ato me sinqeritet për Allahun meriton shpërblim ndërsa ai që i lë ato pa i zbatuar pa pasur justifikim të pranueshëm dhe të konsiderueshëm nga sheriati, meriton ndëshkim.
40 Vepra të pëlqyeshme janë ato punë e fjalë të cilat sheriati ka urdhëruar që të kryhen por jo me urdhër kategorik. Ai që i kryen ato me sinqeritet për Allahun meriton shpërblim ndërsa ai që i lë ato pa i zbatuar nuk ndëshkohet.